Kosova
Pasardhësit e Borrellit dhe Lajçakut, shans për të përmirësuar dinamikën e dialogut
Florian Bieber nga Qendra e Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, në një përgjigje për platformën evropiane “Euractiv”, konsideroi se ndërmjetësuesit e rinj kanë një shans për të përmirësuar dinamikën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke qenë se procesi ka ngecur në çështje krejt teknike.
Në kohën kur viti zgjedhor i gjen shumicën e përfaqësuesve të lartë në kërkim të mundësive të reja brenda apo jashtë Bashkimit Evropian (BE), largimi i protagonistëve kryesorë që aktualisht mbanjnë barrën më të rëndë në kuadër të dialogut – Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak – paraqet një shans të ri për vendet anëtare që ta rimendojnë qasjen, vlerësoi Bieber.
“Përderisa ndërmjetësuesit e rinj kanë një shans për të përmirësuar dinamikën, ekzistojnë më shumë probleme strukturore, sikurse është mungesa e një perspektive të besueshme drejt anëtarësimit në BE”, theksoi Bieber, derisa shtoi se për të dalë nga ngërçi “ata kanë nevojë për një qasje të re – angazhime të qëndrueshme e transparente” në kuadër të dialogut.
Pas ciklit zgjedhor për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, pozitat kryesore të BE-së do të shpërndahen midis grupeve kryesore politike. Emri i kryeministres estoneze, Kaja Kallas, përmendet në korridoret diplomatike si kandidate e mundshme për pozitën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, aktualisht nën udhëheqjen e Borrellit.
Gjithashtu, ende nuk ekziston ndonjë emër i pasardhësit të Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse javët e fundit u përmend emri i ish-presidentit slloven, Borut Pahor, si kandidat i mundshëm për të marrë përsipër procesin e dialogut.