Connect with us

Kosova

Pasi CIA i foli në vesh Kurtit, trimat e urës u paqësuan/ Mustafa për vizitën e Burns

“Mesazhet nga shefi i CIA-s kanë qenë se çfarë nuk guxojnë të bëjnë dhe se ku ia kanë caktuar vendin Kosovës. Vizita e William Burns është për t’u vlerësuar e respektuar por jo edhe për t’u krenuar. Ishte e neveritshme të shihja në rolin e “Rojeve të Urës”, anëtarë të qeverisë dhe deputetë të opozitës” – ishin keto përmbledhtazi ato çfarë tha ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në dritën e zhvillimeve të fundit në vend – prej vizitës së Shefit të CIA-së, William Burns në Kosovë (pas Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë) e deri te trumbetimi-e-heshtja për hapjen e Urës së Ibrit nga qeveria kosovare pavarësisht rezervime të rrepta të hisedarëve të sigurisë në vend: misionit paqembajtës të NATO-s.

Që një zyrtar kaq i lartë i sigurisë kombëtare amerikane, njëherazi edhe anëtar i kabinetit presidencial të Joe Biden, si William Burns, të vijë në tri kryqendrat “problematike” të rajonit, në leximin e Mustafës do të thotë se ka pasur “një zor”.

“Për Kosovën është shumë domethënëse çdo vizitë dhe nyje e kontaktit dhe e bashkëpunimit me SHBA-të. Edhe vizita e shefit të CIA-s, William Burrns është për tu vlerësuar dhe respektuar por jo edhe për tu krenuar. Në kohën e disa vatrave të luftës dhe krizave globale që kërkojnë vëmendjen 24 orëshe të SHBA-së, Burrns do ta kishte patur një zor të vijë këtu për të kontaktuar vendet dhe udhëheqësit problematik në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë” – theksoi Isa Mustafa.

“Vizita është historike në kontekstin negativ duke qenë se për herë të parë në historinë e pasluftës lidershipi i Kosovës rreshtohet në një paralele (futet në një thes) me Dodik-un e Republika Serpska dhe Vuçiçin e Serbisë. Mesazhi është tejet i qartë se ku ia kanë caktuar Kosovës vendin, ndërkaq për tre akterot, mendoj se mesazhet kanë qenë të qarta se çfarë nuk guxojnë të bëjnë” – potencoi ish kryeministri duke shtuar se – “Loja me Urën e Ibrit ishte fushatë e ulët dhe e papërgjegjshme. Një populizëm kuazifolklorik e i shfrenuar me sulme dhe kritika ndaj vendeve të QUINT-it dhe sidomos SHBA-së.

“Burns i foli në vesh Albin Kurtit dhe duket se kjo dha efekte që trimat e urës, të vetëdijësohen dhe paqësohen. Kjo është në interes të Kosovës. Fundja ishte e neveritshme të shihje në rolin e ‘rojeve të urës’ anëtarët e qeverisë dhe deputetët e pozitës” – deklaroi Isa Mustafa.

Advertisement