Connect with us

Kronike

Pastronte paratë e vëllezërve Çopja, arrestohet në Romë Klajdi Merkaj

Klajdi Merkaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të dosjes “Çopja” është arrestuar dje në Romë. Ai akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Arrestimi i tij është bërë me qëllim esktradimin drejt Shqipërisë.

Vëllezërit Merkaj nga Berati janë “subjekti” më i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj. Klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin “SkyECC” me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.

Franc Çopja dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje. Në emër të Klajdi Merkajt deri më tani, rezulton kompania “Merkaj Invest” që ka si objekt fushën e ndërtimit të të gjitha llojeve duke përfshirë, ndërtimet për qëllime banimi.

Advertisement