Politike
Pazare e gjueti shtrigash
‘Pazare e gjueti shtrigash’ kështu i kanë cilësuar Meta e Berisha pajtimin e PS dhe PD për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Por ndryshe nga ata, deputeti demokrat, Gazment Bardhi e ka cilësuar si shumë të nevojshëm këtë ligj dhe se madje për të kanë menduar shumë vonë. Bardhi shtoi se për këtë ligj nuk mundej të vonohej edhe më tej, ndryshe do të vijonte teatri i shëmtuar i politikës 32-vjeçare.
Gabim është që të dalësh kundër vetvetes për interesa të supozuara të një individi. Gabim është të dalësh kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit ku të përndjekurit e tij janë themeli i mbështetësve të PD. Gabim është të justifikohesh me mashtrim se dosjet janë hapur plotësisht në 2008, duke qenë i ndërgjegjshëm që ai ligj nuk hyri dot në fuqi sepse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gabim është ti japësh mundësi Edi Kristaq Ramës të flas për këtë temë, ku PD ka qenë plot 14 vite në pushtet. Gabim është të fshihesh dhe të mos votosh.
Ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit! Pse qenka ligji kundër Ilir Metës dhe nuk qenka ligj kundër 6 rasteve të tjera, që autoriteti i dosjeve e raporton se ndodhet në të njëjtën pozitë?
Bardhi e mbyll shkrimin e tij në Facebook duke shkruar se njerëzit me të shkuar të tillë nuk duhet të jenë pjesë të politikës drejtësisë, administratës publike.
Nëse dikush ka qenë spiun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe preket nga ligji, atëherë PD nuk i ka asnjë borxh askujt dhe nuk mund të heq dorë nga parimet e veta për interesin e askujt. Është gabim historik të dalësh kundër trashëgimisë familjare apo politike për interesin e një apo disa individëve. Sigurimsat dhe spiunët e tyre duhet të jenë jashtë politikës, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike. Jemi vonë, por nuk mund ta vonojmë më shumë, me teatrin e shëmtuar të politikës 32 vjeçare.’- shkroi Bardhi.