Politike
PD ankimon rezultatin/ Kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit

Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve një kërkesë zyrtare për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në Qarkun e Beratit. PD gjithashtu kërkon përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore të këtij qarku.
Në kërkesën e dorëzuar pranë KQZ-së, PD kërkon rrëzimin e tabelës përfundimtare përmbledhëse të rezultatit zgjedhor në këtë qark, duke argumentuar se procesi ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme nga pushteti.
PD ka deklaruar se procesi zgjedhor në Berat është zhvilluar në kushte të pabarabarta, të dominuara nga përdorimi i burimeve publike dhe presioni mbi votuesit, duke u kthyer, sipas saj, në një farsë që deformoi vullnetin e qytetarëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me tabelat përmbledhëse të 12 qarqeve, duke vulosur rezultatin 83 mandate për PS, 50 për PD-ADSHM dhe 7 mandate për forcat e tjera të reja; 3 PSD, 2 Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 1 Nisma Shqipëria Bëhet.

