Politike
Fshehu dënimin me burg, PD ankimon në KAS kandidatin e PS
Partia Demokratike, ka ankimuar në KAS regjistrimin e kandidatit të PS për Bashkinë Mallakastër, Qerim Ismailaj.
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoj me 6 muaj burgim Qerim Ismailajn në shkurt të këtij viti për falsifikim të dokumenteve, për shkak se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim 3 vjet në Greqi për akte dhune.
Në ankim ndër të tjera thuhet se: “Në bazë të parashikimeve ligjore të mësipërme rezulton që situata juridike e shtetasit Qerim Ismail Ismailaj bie në kushtet e ndalimit të parashikuara në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe më konkretisht të neneve 2 dhe 4 të tij sepse: (i) me Vendimin Nr.11 i datës 02.02.2023 të GJKKO i pandehuri Qerim Ismailaj është dënuar më vendim të formës së prerë me 6 muaj burgim sipas pikës 1 të këtij vendimi për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal. Siç shihet dhe nga vendimi i gjykatës kjo vepër kryhet vetëm me dashje dhe në këto kushte ky shtetas ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar; (ii) vendimi gjyqësor është dhënë nga një autoritet shqiptar; (iii) vendimi është i formës së prerë duke nisur nga data 29 Mars 2023; (iv) periudha e rehabilitimi prej 2 vjetesh nuk eshte ezauruar dhe sipas ligjit skadon në 29 Mars 2025.”.