Politike
“Pensionet në vendnumëro”/ Sula kritikon: Qeveria ka braktisur pensionistët
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe mungesën e mbështetjes për pensionistët në Shqipëri.
Në një postim të fundit në Facebook, Sula thekson se qeveria dhe mazhoranca aktuale kanë dështuar të ofrojnë masa të ndjeshme për të përballuar këtë krizë ekonomike.
Sipas tij, pensionet mbeten të ngrira, ndërkohë që çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike vazhdojnë të rriten, duke rënduar jetesën e 800 mijë pensionistëve shqiptarë.
Përballë këtyre sfidave, Sula kritikon vendimin e qeverisë për të mos ndërhyrë në uljen e TVSH-së për shportën e ushqimeve apo në rritjen e pensioneve.
Ai vëren gjithashtu se suficiti prej 700 milionë eurosh mund të ishte përdorur për të përmirësuar mirëqenien e shtresave më në nevojë. Për Sulën, këto masa të pamjaftueshme janë një trajtim i papranueshëm për pensionistët që kanë kontribuar për dekada në arkën e shtetit.