Connect with us

Lifestyle

Për amvisat…Byrek me lëpjeta dhe pazi

Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur.

Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e byrekut dhe lakrorit është më tërheqësja e shijes jo vetëm për shqiptarët por më së shumti për turistët e huaj.

Byrekët mund të përgatiten me një larmi produktesh, me djathtë e qumësht, me qepë e domate, me spinaq apo me presh por byreku me lakra të egra është më i mrekullueshmi i të gjithëve.

Ai ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra me të cilat përgatitet.

NTV.AL sjell më poshtë recetën e byrekut me pazi dhe lëpjetë.

Përgatitja krejt lehtë në shtëpi 

Përbërësit

  • 500 gr Pazi
  • 500 gr Lëpjetë
  • 6-7 qepë të njoma
  • 500 gr Miell
  • 250 ml Ujë
  • Kripë
  • 200 gr Djathë i thërrmuar
  • Vaj Ulliri
  • Sodë Buke
  • Nenexhik

Përgatitja e Brumit

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.

Përgatitja e Mbushjes me Lakra

Qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh ku e skuqim me vaj ulliri derisa volumi i qepës të ulet dhe të marrë një ngjyrë të artë.

Më pas, hedhim lepjetën dhe pazinë, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë.

Kaurdisim qepët me lakrat e egra derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim djathin e thërrmuar dhe pak kripë

I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, AgroWeb.org ju sugjeron që në një gotë të vogël hedhim një lugë miell dhe e tretim me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek lakrat e egra dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Procesi i pjekjes në furrë 

Pasi e përgatisim gjellën me lakrat e egra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra dhe vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati.

Advertisement