Connect with us

Aktualitet

“Për dy ditë kam ngrënë vetëm biskota, s’di në isha në gjumë apo…”, BIRN tregon rrugët e ndjekura nga shqiptarët në kërkim të një jetë më të mirë në Britani

BIRN tregon rrugët e ndjekura dhe çmimet e paguara nga shqiptarët që janë në kërkim të një jetë më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar, por që, në shumë raste, rrezikojnë të kalojnë vite të tëra si emigrantë të paligjshëm ose të shfrytëzohen.Kur ishte 14 vjeç, nëntë nga shokët e klasës të Besi Handrojit ishin larguar nga shtëpitë e tyre në rajonin verior të Pukës për të shkuar në në Mbretërinë e Bashkuar.

 

 

Në vitin 2014, në moshën 15-vjeçare, Handroj vendosi t’i bashkohej, duke ëndërruar një xhiro në “London Eye”, një karrierë e cila do t’i mundësonte të ndihmonte prindërit e tij të papunë dhe që motrat e tij të arsimoheshin.

Në përpjekjen e tij të parë, familja e Handrojit pagoi 1,500 euro për të marrë një ID të rremë nga Rumania, anëtare e Bashkimit Europian. ID mbante emrin “Nikolas”. Handroj u nis për në Itali ku ai planifiktë të merrte avionin nga Milano për në Londër, por policia kufitare italiane e ktheu atë pasi përshkak se ishte minoren.

Për përpjekjen e dytë, një javë më vonë, Handroj mori autobusin për në Greqinë fqinje dhe nga aty u nis për në Francë me tren. Atje, me ndihmën e “djemve” që i siguruan më parë ID-në e rreme, Handroj u bashkua me një grua shqiptare dhe fëmijën e saj në një traget për në Britani. Por, kur fëmija filloi të fliste me zë të lart në shqip, policia në anije i kontrolloi dokumentet dhe i ktheu ata mbrapsht në Francë.

Për Handrojin ishte rasti i të tretës të vërtetës. Pasi doli fshehurazi nga një qendër emigrantësh në Francë, ai kaloi ditë të tëra duke fjetur nëpër parqe, para se të shkonte për në Belgjikë, ku disa miq të xhaxhait të tij e ndihmuan atë të hipte në një të ashtuquajtur “kamion të sigurt” me 25 shqiptarë të tjerë. Pas 10 orësh rrugë, ata ja dolën të mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar. Udhëtimi i kushtoi familjes Handroj 5,500 paund.

“Nuk mbaj mend shumë nga udhëtimi, sepse pjesën më të madhe të kohës kam fjetur”, – tha ai. “Ishte shumë ftohtë, rreth dy ose tre gradë Celsius, merret me mënd fund shkurti. Por mbaj mend se si disa të rritur u bërtisnin fëmijëve brenda në kamion, që të mos bënin zhurmë pasi mund të na kapnin. Të gjithë ishin të shoqëruar nga ndonjë i afërm ose ndonjë shok. Unë isha i vetëm, dhe isha vetëm 15 vjeç.”

Gjashtë vjet më vonë, tani më 22 vjeç, Handroj mban statusin e refugjatit, bazuar, siç rrëfen ai, në pretendimin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta për shkak të borxheve të të atit.

Sot, ai fiton rreth 120 paund në ditë si hidraulik, afërsisht sa paga minimale mujore në Shqipëri. Dhe tashmë ka ndihmuar edhe vëllain e tij të madh, Gertin, që t’i bashkohet në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, kur e pyet nëse do ta ndërrmerte sërish këtë rrugëtim, Handroj u përgjigj:

“Jo, kurrë. Nuk ja ka vlejtur, sepse më është dashur të jetoj me një lloj familjeje kujdestare që nuk më ka trajtuar mirë. Më është dashur duhej të punoja nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 në ndërtim për 50 paund në ditë kur isha vetëm 16 vjeç, dhe për pesë paund e gjysmë në orë si mbledhës gotash gjatë natës, në një bar për pesë vjet me rradh.”

“Më është dashur të përballem me shumë telashe dhe gjatë gjithë kësaj kohe isha vetëm. Kjo besoj se më ka ndryshuar përgjithmonë. Madje, tani më nuk e di as se ç‘lloj marrëdhënieje kam me familjen time.”

Historia e Handrojit nuk është unike. Shqipëria renditet rregullisht cdo vit, në pesë vendet e para përsa i takon numrit të azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar, në krah të vendeve si Irani, Iraku, Pakistani dhe Eritrea, po ashtu dhe numri i të miturve shqiptarë që mbërrijnë në Britani të pashoqëruar, si rasti i Handroj, vijon në shkallë rritetëse.

U deshën vite që Handroj të mund të ngrihej në këmbë. Shumë të tjerë nuk ja dalin. Fakti që konsiderohen emigrantë të paligjshëm si dhe mosha e tyre delikatem, i kthen këta të rinj në të rrezikuar nga shfrytëzimi për skllavëri dhe prostitucion.

Nga ana tjetër shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të huajve në burgjet në Angli dhe Uells, afërsisht 10 për qind e më shumë se 9,200 shtetasve të huaj, po ashtu shqiptarët janë viktimat më të zakonshme të skllavërisë moderne në Mbretërinë e Bashkuar, sipas statistikave zyrtare.

“Pasi arrijnë moshën madhore dhe leja e tyre e qëndrimit në përgjithësi refuzohet, disa prej tyre kthehen në vendin e tyre të origjinës, ndërsa të tjërë zhduken nga sistemi, duke iu bashkuar kontingjentit të emigrantëve të paligjshëm”, tha Naim Hasani, avokat në Mbretërinë e Bashkuar me origjinë nga Shqipëria dhe i specializuar në cështjet e emigracionit, azilit dhe të drejtave të njeriut. “Një problem i madh është përdorimi i fëmijëve dhe të rinjve nga elementë kriminalë për arsye të ndryshme trafikimi, duke i detyruar ata të punojnë si skllevër ose për prostitucion.”

Dëshira e madhe për t’u larguar

Tre dekada pas rënies së diktaturës staliniste të Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60 për qind e popullsisë së të rriturve në vendit thonë se duan të largohen, referuar një sondazhi të Gallup të botuar në dhjetor 2018.

Në qershor, rreth 49 për qind e shqiptarëve thanë se ishin në proces të përgatitjes së dokumenteve për të, sipas sondazhit të Barometrit Ballkanik të kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i Europës Juglindore.

“Duke folur përafërsisht, të rinjtë largohen sepse kanë humbur shpresën se do të jenë në gjendje të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre në vendin e tyre”, tha sociologu dhe profesori shqiptar Ergys Mërtiri.

“Ata përballen me vështirësi për të gjetur punë, standarde të ulëta jetese dhe mungesë perspektive dhe sigurie për të ardhmen”, tha Mërtiri për BIRN. “Shumë prej tyre largohen sepse gjykojnë se puna, aftësitë, njohuritë ose arsimimi i tyre nuk vlerësohen sa duhet në Shqipëri. Çdo ditë ata përballen me mungesë drejtësie në punësim, nepotizëm, etj, gjë që i bën ata të ndihen të pasigurt.”

Sidomos shqetësues është emigrimi i shqiptarëve të mirë arsimuar – fenomeni i njohur si “largimi i trurit”. Tridhjetë e dy për qind e shqiptarëve në këtë kategori thonë se duan të largohen.

“Ekziston një kategori shumë e çmuar që emigron, pasi ata nuk e vlerësojnë arsimin shqiptar”, tha Mërtiri.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me studentë të mirë, por edhe shumë prej atyre që kanë prindër me një nivel të mirë të ardhurash. Ata duan një arsim të mirë, të cilin ky vend nuk e ofron, kështu që përpiqen që këtë gjë ta gjejnë jashtë. Por, sigurisht, shumica e tyre nuk kthehen më.”

Duke qenë se Britania e Madhe nuk është pjesë e zonës Shengen, qytetarët shqiptarë nuk mund ta vizitojnë atë pa u pajisur me një vizë. Megjithatë, shumë prej tyre tërhiqen nga perspektiva e një page të mirë, standarde më të larta jetese dhe fakti që pengesa gjuhësore nuk është aq e madhe, duke pasur parasysh që shumica e shqiptarëve mësojnë anglisht në shkollë. Vitet e fundit shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë shfaqur një tendencë, për të postuar në rrjetet sociale fotografi që tregojnë një lloj luksi intrigues.

Deni Muça ishte aq i vendosur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar, saqë e provoi 24 herë brenda dy muajve, në 2015, të kalonte kufirin dhe porte në Spanjë, Francë dhe Holandë, por pa sukses.

Muça, nga fshati Picar, pranë Tiranës, tha për BIRN se ai dhe një kushëri i tij provuan gjithçka, që nga ftutja fshehurazi në rulota pushimesh e deri te fshehja nëpër kamionë, duke shpenzuar më shumë se 5,000 euro gjatë këtyre përpjekjeve dhe u gjobitur me më shumë se 7,000 eurosh nga policia kufitare.

Në Bilbao, Spanjë, Muça kujton se në port pikasi një makinë me targa angleze. Ai hyri në bagazhin e saj, duke besuar se makina ishte gati të hipte në tragetin që nisej për në Angli. “Qëndrova aty për dy ditë, shtrirë. Nuk e dija nëse isha zgjuar apo në gjumë. Kam ngrënë vetëm disa biskota. Nuk lëviza fare.” As makina nuk lëvizi. Kur pronarët u kthyen, ata vunë re që xhamat e makinës ishin me avull dhe lajmëruan policinë.

I tronditur nga kjo përvojë, Muça tani po punon si saldator dhe ende po përpiqet të kursejë 20,000 euro për të paguar kontrabandues me përvojë që ta çojnë atë më në fund në Mbretërinë e Bashkuar.

Zgjidh një itinerar

Përmes intervistave me shqiptarë që kanë hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, BIRN ka identifikuar gjashtë rrugë kryesore:

Nga Calais për në Dover me kamion: Xhoni Smaka, nga qyteti verior i Kukësit, kufirit me Kosovën, e mori këtë rrugë në vitin 2013 kur ishte vetëm 14 vjeç. “Ishte ora katër e mëngjesit kur hipa në kamion”, tha ai. “Isha me kushëririn tim. Rruga zgjati rreth katër orë. Sapo mora një SMS në celularin tim që thoshte ‘Mirë se erdhët në Mbretërinë e Bashkuar’, çamë mbulesën e kamionit dhe u hodhëm ndërsa ai ishte ende në lëvizje, duke mos e ditur fare se ku ishim.” Kjo rrugë aktualisht kushton rreth 17,000 paund, sipas kontrabandistëve me të cilët kontaktoi BIRN.

Me kamion nga Holanda: Shqiptarët zakonisht hipin në kamionë në portin Hoek van Holland afër Detit të Veriut dhe udhëtojnë për në Mbretërinë e Bashkuar me traget.

Me kamion nga Belgjika: Sipas policisë federale belge, zona e Gentit midis Brukselit është një pikë kryesore ku kontrabandistët futin emigrantët nëpër kamionë që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ani Karaja tha për BIRN se ai pagoi 8,000 paund për të marrë këtë rrugë në 2017. Policia belge thotë se çmimi tani shkon në 15,000 euro, ose pak më shumë se 13,000 paund.

Me traget nga Spanja: Burime thanë për BIRN se rruga nga Bilbao për në Portsmouth që operohet nga Brittany Ferries është njohur sidomos për emigrantët shqiptarë.

Me avion nga Italia ose Greqia: Kjo rrugë është një opsion vetëm për shqiptarët që mund të sigurojnë dokumente false, më shpesh italiane. Marjo Sota i tha BIRN se ai udhëtoi për në Bergamo në Italinë veriore me pasaportën e tij shqiptare dhe bleu dy bileta, një për në Tiranë, Shqipëri, dhe një tjetër për në Londër, të cilat niseshin në orare të ngjashme. “E kalova kontrollin e policisë dhe të gjitha kontrollet e tjera me pasaportën time të vërtetë. Pastaj, pak para se të shkoja te porta, shkova në tualet dhe hoqa qafe biletën time shqiptare dhe fsheha pasaportën time të vërtetë”, tha ai. Pastaj ai u drejtua drejt portës për në fluturimin në Londër. “Isha me fat që zonja që kontrolloi dokumentet e mia para se të hipja në avion nuk më foli italisht. Kur arrita në aeroportin Gatëick në Mbretërinë e Bashkuar, ata kontrolluan ID-në time false dhe më kërkuan mjet identifikimi shtesë. Për fat të mirë, kisha përgatitur një patentë false me të njëjtin emër. Arrita në Mbretërinë e Bashkuar duke shpenzuar më pak se 1,000 euro.”

Nga Italia për në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet Dublinit: Në vitin 2018, The Independent raportoi se kontrabandistët po “abuzonin me kontrollet e buta kufitare të Irlandës” midis Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar për të futur njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, duke cituar Agjencinë Kombëtare të Krimit.

Pasi mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, disa rrezikojnë të kalojnë gjashtë deri në 18 muaj në burg për hyrje në vend me dokumente të falsifikuara. Të tjerë, sipas avokatit Hasani, zgjedhin rrugë të ndryshme për të bërë dokumente të ligjshme, por asnjëra prej tyre nuk është e shpejtë.

Duke cituar shifrat e autoritetit të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Hasani tha se shumë gra shqiptare kërkojnë azil si viktima të trafikimit ose dhunës në familje. Disa shqiptarë aplikojnë me arsyetimin se po largohen për shkak të gjakmarrjes ose persekutimit për shkak të seksualitetit të tyre, ndërsa të tjerët përpiqen të marrin leje qëndrimi duke u martuar me ndonjë shtetas britanik ose të BE-së.

 

24-vjeçari pagoi 8,000 paund për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar me kamion bashkë me tre shqiptarë të tjerë dhe tetë shtetas kinezë.

“Isha i vendosur. Do të shkoja patjetër në Londër”, tha ai. “Në Shqipëri do të kthehesha vetëm i vdekur.”

Katër vjet më vonë, ai është ende një emigrant i paligjshëm, pa mundësinë për të hapur një llogari bankare, me pamundësinë të marrë me qira një shtëpi ose të hipë në një tren pa u shqetësuar se do ta kapin oficerët e emigracionit. Ai ka bërë punë të ndryshme me pagesa të ulët, duke filluar nga 14 orë në ditë në lavazh për 42 paund e deri tek punët të rënda krahu.

“E vetmja mënyrë që të mund të bëhem i ligjshëm, është të martohem me një vajzë që ka pasaportë britanike ose europiane”, tha ai, “që të mund të bëhem më në fund me dokumente.”/BIRN

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

“Dua të dal në…”/ Lukashenko drejt largimit pas 30 vitesh në fuqi?

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka zbuluar se do të konsideronte t’i jepte fund karrierës së tij politike pas 30 vitesh në pushtet, pasi të jetë i sigurt se do të sigurohet një “tranzicion i qetë”.

Lukashenko i bëri komentet në një mbledhje politike e mbledhur në Minsk, nga ku deklaroi se duhet të sigurohet stabiliteti politik për të ardhmen e vendit.

“Nuk duhet të heshtni. Nëse do të heshtni, do të thotë se kam gabuar. Se nuk do të mund ta mbroni vendin, sidomos pa mua”, u tha ai të pranishmëve.

“Dua ta përfundoj karrierën time politike në një mënyrë dinjitoze… në mënyrë që të mos shkatërrojmë gjithçka që kemi ndërtuar me duart tona,” tha Lukashenko. “Do të dal në pension, sapo të më thoni në një formë: ‘mjaft’”, u shpreh ai.

Continue Reading

Aktualitet

“Do goditen ZYRTARË”/ Ish-zyrtari i lartë i Policisë paralajmëron një OPERACION të madh

Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi ka paralajmëruar për një operacion të madh kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e vendit.

Prençi tha në emisionin “Breaking” në Top News, se sipas informacioneve të tij, operacioni do të vijojë deri të hënën në mëngjes, me qëllim goditjen e grupeve të strukturuara kriminale në trafikun e drogës por jo vetëm, si dhe deri te goditja e zyrtarvë të lidhur me ta.

“Këto ditë do të ndodhë një operacion i madh që do të trondisë shumë, në të gjithë vendin. Kaq mund të them. Jo vetëm në bregdet, por do të goditen grupe të strukturuara kriminale deri te zyrtarë të lartë. Kaq mund të them.

Nuk mund të jap detaje, deri mëngjesin e të hënës do të ndodhë një operacion i gjerë në të gjithë vendin, do të goditen grupe të strukturuara kriminale, nga trafiku i drogës dhe më gjerë”, u shpreh Prençi.

Continue Reading

Aktualitet

Investigimi i RAI3/ Trondit analisti: Shqipëria është në urgjencë kriminale

Analisti Genc Burimi në një intervistë tha se Shqipëria është në urgjencë kriminale dhe ka nevojë për një Task Forcë, me qëllim që të zhduket korrupsioni në vend.

Duke folur për artikullin investigues të RAI3, Burimi u shpreh se është shokuese që kryeministri Edi Rama merr në celular drejtorin e RAI3, gjë që është e paimagjinueshme në Perëndim. Burimi dha disa argumente, se përse është mosbesues ndaj SPAK.

“Në rastin e akuzave ndaj Olsi Ramës, nuk ka pse të ketë denoncim, nëse ka indicie që Olsi Rama është përfshirë në dosjen Xibraka, drejtësia të hetojë. Prsh nuk ka nevojë për kallëzim për një rrahje në rrugë, kur ngjarjen e kanë kapur kamerat. Unë në tërësi Jam mosbesues ndaj SPAK. Administrata e SHBA edhe mund të ndryshojë. SPAK pret që Rama të ikë nga qeveria dhe ta thërrasë? Sa i përket shkrimit të RAI-t, investigimi zbulon skandalin e qeverisë së Ramës. RAI thotë se Artutr Shehu, një trafikant që ka dhënë tokë për një gjeneral italian, sot është në SHBA. Amerikanët nuk i dinë këtë gjë? Shqipëria është në urgjencë kriminale. Sot shqiptarët vuajnë korrupsionin e inceneratorëve. Artikulli i RAI3 është revolucion. Është shokuese që një kryeministër të marrë në telefon një TV”, tha Burimi.

 

 

Duke u ndalur tek amnistia, Burimi vlerësoi se e kupton faljen, por shton se në TV pa vetëm të dënuar që liroheshin, por jo edhe familjarë të viktimave apo të të dëmtuarve.

“Nuk kam gjë kundër, se amnistia është falje. Por, amnistitë e fundit në Itali janë kontestuar. Dje nuk pashë një familje viktime të thoshte se çfarë ndjente. Prsh një vajzë u lirua, ndërsa kishte vrarë 5 njerëz me makinë. Amnistohen njerëz që kanë bërë burg, duke bërë burg ke bërë faj, kur ke faj, ka viktimë/viktima. Në Shqipëri mungon roli i viktimës. Nuk u mor në konsideratë dhimbja e familjarëve të viktimave. Duhet të them se mbipopullimet në burgje janë problem jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë”, deklaroi Burimi.

Continue Reading

Aktualitet

Sherr fizik në bashkinë e Pukës, qytetari përleshet me drejtorin e burimeve njerëzore

Një sherr fizik ka ndodhur në Bashkinë e Pukës. Mësohet se ditën e djeshme rreth orës 16:30, një qytetar është përleshur me drejtorin e zyrës së burimeve njërëzore, Sokol Gjoni.

Për shkak të situatës së nxehur në sherrin fizik është përfshirë dhe kryebashkiaku i Pukës Rrok Dodaj dhe sekretarja e këshillit bashkiak, Edona Hyseni. Këta të fundit kanë tentuar që të qetësojnë situatën e ndodhur.

Continue Reading

Aktualitet

Vajza ruse që jeton në Shqipëri: Zakoni më i keq? I shtyni gjërat për më vonë dhe thoni gjithmonë ‘kismet’

Nga Entela Resuli

Alla është një vajzë ruse që prej 14 vitesh jeton në Tiranë. Përpara se të shkelte në Shqipëri, dinte shumë pak për të, dhe as nuk e kishte menduar asnjëherë jetën e saj këtu.

Si fillim në Shqipëri e solli dashuria. Më pas kuptoi, se ndryshe nga shumë shqiptarë që duan të largohen nga vendi i tyre, ajo ka zbuluar se Shqipëria është një vend shumë i mirë për të jetuar.

E rritur në Moskën e ftohtë, Tirana dhe gjithë Shqipëria i janë dukur shumë mikpritëse dhe bujare.

Vitet e para të qëndrimit në Shqipëri ka punuar si fotografe, ndërsa tani, prej më shumë se pesë vitesh është e angazhuar në një tjetër fushë, atë të trajnimit të mendimit të njerëzve dhe fotografisë.

Në rrjetet sociale ajo është e njohur për seancat e saj motivuese.

Alla Simacheva e flet shqipen shumë mirë. Është brune dhe ka tipare të imta. Sot është mami e një djali 11 vjeç. Ka një zgjidhje për gjithçka dhe sipas saj e gjithë jeta është çështje fokusi, varet se çfarë do që të shohësh dhe marrësh prej saj.

-Por si duket Shqipëria e ditëve të sotme në sytë e një vajze ruse? -Alla, përpara se të vije në Shqipëri a kishe dëgjuar më parë për këtë vend?

Të jem e sinqertë, shumë pak dija për Shqipërinë, vetëm vendndodhjen dhe disa stereotipe.

-Çfarë të solli këtu dhe mbi të gjitha çfarë të mbajti në Shqipëri?

Fatmirësisht, përpara se të vizitoja Shqipërinë për herë të parë, zgjodha të mos lexoja asgjë në internet dhe të krijoja përshtypjet e mia. Takimi i parë me Shqipërinë ndodhi para 18 vitesh, kur do të takoja familjen e ish-bashkëshortit shqiptar. Isha shumë e re dhe e guximshme dhe pavarësisht jetës së sistemuar mjaft mirë në Moskë, nuk mendova gjatë për t’u transferuar në Tiranë.

Njoh shumë gra ruse që janë larguar nga Rusia për bashkëshortët e tyre shqiptarë. Mirëpo, martesa ime tashmë ka përfunduar dhe zgjidhur, dhe qëndrimi në Shqipëri ishte një zgjedhje e vetëdijshme.

Së pari, Shqipëria na ofron të gjitha mundësitë për të krijuar jetën siç duam, pavarësisht, ankesave dhe mendimeve negative të shumë shqiptarëve, unë realisht shikoj shumë mundësi për një jetë të bukur në Shqipëri.

-Ka diçka që të bëri përshtypje në fillim, mund të na e tregosh?

Në fillim fare përshtypjet dhe ndjenjat për Shqipërinë ishin shumë të miksuara, më dukej sikur isha në një tjetër realitet. Normalisht, Tirana para 18 vitesh nuk ishte njësoj si Tirana e sotme. Çuditesha, se si ka mundësi që një vend kaq i bukur të ketë kaq shumë kontraste. Mikpritja e shqiptarëve dhe ngrohtësia e njerëzve më bënte përshtypje për mirë dhe njëkohësisht rrëmuja dhe zakoni i vjetër i hedhjes së mbeturinave nga dritaret, më habiste negativisht, ose hedhja e mbeturinave në det apo në lum.

-Ju flisni shumë mirë shqip, kush ju ka ndihmuar për këtë pjesë dhe a ju ka bërë kjo gjë që të kuptoni më shumë Shqipërinë, mentalitetin këtu?

Ah, ju falënderoj shumë për vlerësimin. Gjuha Shqipe vërtet është një gjuhë e vështirë dhe e veçantë për të huajt. Njëkohësisht, mendoj se është vështirë të integrohesh në një vend të huaj dhe të ndihesh e qetë pa gjuhë. Kisha një mikeshë shqiptare, e cila nuk fliste anglisht, dhe kjo, mendoj, është mënyra më e mirë dhe më e bukur për të mësuar çdo gjuhë, pra, është komunikimi. Jam shumë mirënjohëse për durimin dhe kohën që më ka kushtuar mikja ime, duke më kuptuar, duke më korrigjuar, duke më mësuar.

Kështu më kishte dhënë bazën, e cila thjesht rritej vetë, kur isha duke njohur njerëz të rinj. Sot kam një shprehje: rri, rri dhe mësoj ndonjë fjalë në shqip. Tani punoj me shumë njerëz, komunikoj nëpërmjet rrjeteve sociale për shkak të punës, kështu që vazhdoj të dëgjoj dhe të mësoj fjalë të reja.

-Meqë jemi të mentaliteti, çfarë të bën përshtypje nga kjo pjesë në Shqipëri?

Janë bërë më shumë se 14 vite që jetoj në Shqipëri, nuk mendoj se më bën përshtypje diçka, e kam pranuar si një pjesë të mjedisit, nuk është që më prish terezinë apo më streson, por është fakt për mua, që shqiptarët ankohen shumë dhe për çdo gjë: për vapën, për të ftohtin, për shiun, për diellin, për trafikun, për politikën, për tezen, hallën, komshiun. Dhe ndërkohë që ankohen, gjithashtu, vrasin shumë mendjen për mendimin dhe aprovimin e të tjerëve.

Dalloj këtë sepse e di shumë mirë se si funksionojnë mendimet. Ndërkohë që harxhojmë kohën dhe energjinë për të ankuar, ne nuk jetojmë jetët tona por jetojmë jetët e të tjerëve.

Në fakt, shumë shpejt, u infektova dhe unë me mendimet negative gjatë viteve të para në Shqipëri. Aq shume kisha dëgjuar shprehjen “jemi në Shqipëri, këtu gjërat nuk funksionojnë”, që vërtet e besoja për një kohë të gjatë deri sa zbulova, që nuk është e vërtet.

-Ne në Shqipëri kemi një imazh për ruset si vajza të gjata, bionde, me sy blu… a ju kanë thënë që nuk ngjani si ruse?

Jo vetëm që ma thonë shpesh që nga e folura nuk dallohem që jam e huaj, dukem si një shqiptare që ka jetuar jashtë, por një herë më kanë thënë dhe kështu: ua, ruse je? Po ruset janë të bukura, jo si puna jote.

Kjo tashmë është kthyer në një shprehje që përdor dhe vetë, si shaka.

Mua personalisht me pëlqen miksi im gjeografik. Unë kam lindur në Tokjo, jetova vitet e para të jetës sime atje, pastaj u rrita në Moskë, dhe u formova në Shqipëri. Kultura të ndryshme më kanë pasuruar botën time të brendshme dhe mënyrën e të menduarit.

-Për ata që ju njohin nga instagrami ju jeni një fotografe shumë e mirë por edhe një trajnuese mendimi, pse ke zgjedhur këtë formë për të qenë pranë ndjekësve të tu?

Është e vërtet që kam qenë fotografe për një kohë të gjatë, ishte profesioni që ushtroja në Shqipëri për 10 vite. Unë doja që nëpërmjet artit të fotografisë të tregoja njerëzve se sa mirë janë, që jetojnë në një vend të bukur, njëkohësisht falë rrjeteve sociale dhe shumë miq dhe kolegë rusë mësuan vendet e fshehura dhe të bukura të Shqipërisë.

Tani misioni im vazhdon ku nuk punoj vetëm me pamjen e jashtme, por punoj me mendimet e njerëzve, që bën të mundur ndryshimet e mëdha në të gjitha aspektet e jetës.

-Po ju vetë a ndiheni ndonjëherë e demoralizuar, e lodhur… çfarë bëni për të dal nga kjo gjendje?

Tashmë është bërë e vështirë të ndihem e demoralizuar, sepse kur shikoj që nuk po arrij rezultatin e dëshiruar, kuptoj që ka diçka në mënyrën time të menduarit, ka një veprim që e bëj gabim, ndaj nuk arrij. Përdor ndjenjat në mënyrë që të më sjellin dobi dhe të më ndriçojnë mundësitë e zhvillimit. Lejoj vetes të ndjej dhe pasigurinë, dhe frikën, dhe inatin, nëse vjen, sepse këto ndjenja alarmojnë që ka diçka në realitetin tim, që kërkon të përmirësohet.

Për sa i përket lodhjes, po. Lodhem. Kjo është një ndër pikat e mia të dobëta. Punoj shumë pa lejuar vetes të pushoj në mënyrë cilësore, pasi më duket sikur kam shumë qëllime dhe shumë pak kohë për t’i realizuar ato. Ndoshta ngjan çuditshme, por këtë verë po mësoja të bëja pushimet e vërteta pa u shqetësuar për asgjë.

-Cili është mesazhi më të cilin ju nisni ditën tuaj?

Mendimet kanë nevojë për kujdesin dhe higjienën njësoj si edhe trupi ynë. Është e vërtet që njësoj siç lajmë dhëmbët, edhe mendimet kanë nevojë të pastrohen, të sistemohen dhe të mirëmbahen. Unë pavarësisht se jam coach (trajnere) dhe kujdesem për mendimet e klientëve, jam thjesht njeri, dhe mendimet e mia kërkojnë të njëjtin kujdes gjithashtu.

Së pari, dedikoj disa minuta kohë në mëngjes për të ndjekur mendimet që kam, çfarë mendoj, çfarë ndjej, cilat janë mendimet që më shkaktojnë ndjenjat e kundërta të kënaqësisë.

Çdo njeri pavarësisht statusit, pozicionit e punës apo nivelit e të ardhurave, ka mendime që krijojnë pasiguri, ankthi, stresi, frikë, lodhje dhe është diçka normale. Nuk është normale të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur këto ndjenja nuk ekzistojnë. Ky është vetëmashtrim pastaj.

Kështu që mesazhi im i ditës, ose motoja është që, se pari, unë sot, si çdo ditë tjetër, kërkoj dhe vëzhgoj mendimet që më kufizojnë, dhe së dyti, sot kërkoj dhe vëzhgoj, cilat janë veprimet që më sjellin kënaqësi, dhe do të përfshij më shumë nga këto veprimet në rutinën time.

Keni dëgjuar për parimin Pareto? Që 20 % të shkaqeve sjellin 80 % të rezultateve. Në këtë rast, 20 % të veprimeve që bëjmë në ditë, do të na sjellin 80% të lumturisë. Duke identifikuar, cilat janë këto 20%, do të na ndihmojë të shumëfishojmë dhe të kthejmë në zakon një lifestyle të lumtur pavarësisht rrethanave.

-Sipas jush, njeriu e ka në dorën fatin e tij apo ai është i shkruar?

Në jetën e çdo njeriu funksionon ajo që në çfarë personi e beson. Unë e besoj dhe e praktikoj metodën e cila thotë, që çdo gjë që ne kemi apo nuk kemi në jetë është rezultati i veprimit. Siç thoshte Einstein, është çmenduri të bësh të njëjtin veprim dhe të presësh rezultate të tjera. Veprimet tona janë nxitur nga emocionet, emocionet janë indikatorët e mendimeve.

Kështu që nëse kemi diçka që duam të përmirësojmë në jetë, mjafton të ndryshojmë të paktën një mendim për të pasur një rezultat të ri. Kaq e thjesht. Çdo gjë është shumë e thjesht, jemi ne, njerëz, që e komplikojmë, sepse nuk besojmë që gjerat mund të funksionojnë thjesht.

-A mund të ndryshojmë jetën tonë dhe mënyrën se si jetojmë nga mënyra se si mendojmë?

Një tjetër mendim krijon një tjetër emocion, një tjetër emocion krijon një tjetër reagim, reagimi i ri do të thotë rezultati i ri. Ndërkohë është e rëndësishme të kemi një profesionist që mund të na ndihmoj të identifikojmë mendimet tona. Unë jam coach dhe kam një coach.

Mund të them që është kënaqësi e veçantë të jem në pozicionin e klientit, sepse një mendim me të cilin ushqehem çdo ditë, sidomos në momentet e vështira, është që ekziston minimalisht një person, i cili më pranon plotësisht ashtu siç jam dhe beson tek unë.

-Nga duhet ta fillojmë për të bërë këtë, për të ndryshuar ?

Është e rëndësishme të fillojmë të vlerësojmë hapa të vegjël. Gjithashtu është e rëndësishme te kujdesemi për fjalorin. Vetë fjalët jo vetëm që na lejojnë të transmetojmë mesazhet dhe informacionin tek njëri- tjetri, por na krijojnë ose na lehtësojnë peshën emocionale.

Për shembull, dikur kur miqtë më bënin pyetjen “si je”, unë përgjigjesha “shumë e ngarkuar kam qenë”. Ky mendim dhe vetë këto fjale me krijonin ngarkesën. Më vonë i zëvendësova me mendimin që nuk jam e ngarkuar, por jam e kërkuar. Shikoni, se si ndryshojnë reagimet dhe vetëvlerësimi. Kush jam unë në variantin e parë? Jam një njeri i lodhur dhe në stres. Kush jam kur jam e kërkuar? Jam e dashur, jam profesioniste, kam besimin e klientëve. Me cilin mendim jeta është më e bukur? Sigurisht, me të dytin. Dhe është vetëm çështje zgjedhje.

-Duket sikur keni zgjidhje për gjithçka, po ka patur edhe në jetën tuaj momente të vështira?

Unë mund të them që mënyra e të menduarit është aftësi, dhe si çdo aftësi tjetër trajnohet dhe përmirësohet. Sigurisht, kam kaluar kriza dhe momente shumë të vështira. Mendoj se transformimi im nisi në momentin kur babai im u nda nga jeta shumë papritur për të gjithë. Kisha shume pyetjet dhe në kërkim të përgjigjeve arrita në këtë profesion ku jam tani.

-Si mund t’ja u shpjegojmë atyre që po na lexojnë se me çfarë merreni konkretisht?

Konkretisht zhvilloj programet transformuese në grup dhe individualisht ku çdo person mund të marri instrumentet, si fillim, të shikoj veten në thellësi, jo në sipërfaqe, t’i përgjigjet vetes se kush është dhe çfarë do dhe pastaj të ndërtoj veten, ashtu siç vetë dëshiron.

Studimet, në të cilën bazohet metodologjia që unë përdor, vërteton që njerëzit qëllimin thelbësor gjithmonë e kanë pozitiv, mënyra se si e arrijnë shpesh është toksike për të tjerët për shkak të mendimeve dhe ndjenjave të renda. Për shembull, kur njeriu vepron, i udhëhequr nga dhimbja ose dëshpërimi. Është shprehja e një sipërmarrësi të famshëm, Gary Vaynerchuk: hurt people hurt people, happy people make other people happy.

Pra, njerëz të palumtur lëndojnë njerëzit e tjerë, shpesh herë pa dashje dhe në mënyrën e pavetëdijshme, njerëzit e lumtur, thjesht ndajnë lumturinë.

– Zakoni më i keq që kemi?

Të shtyjmë jetën për më vonë. Kur themi për diçka që duam të bëjmë, themi “nesër”, shtojmë dhe “kismet”, “nesër kismet”. Këtë unë e përkthej që asgjë nuk do të bëhet fare, sepse është thjesht një zakon për të zvarritur gjerat. (VoxNews)

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING