Connect with us

Kronike

“Për vrasjen e Talos bëja pakt edhe me Djallin”/ Erion Alibej: Suel Çela fshihet në Peqin

Erion Alibej, një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, pretendoi në seancën e të martës se dinte vendodhjen e Suel Çelës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK si drejtues i një organizate kriminale.

I penduari tha se ishte i gatshëm të bashkëpunonte jo vetëm me Nuredin Dumanin, por edhe me djallin për të vrarë Talo Çelën, po ashtu i shpallur në kërkim nga SPAK.

Gjatë dëshmisë së Alibejt, në sallë ndodhej edhe i penduari Dumani, me të cilin u përfshi në një debat të ashpër në seancën e kaluar, debat që dukej të ishte sheshuar. Ndërsa tensioni i radhës u krijua teksa po i përgjigjej pyetjeve të të pandehurit Xhuliano Hoxha. Alibej i ktheu disa herë përgjigjen “s’e mbaj mend” Hoxhës, teksa po e pyeste për një vajzë, Megi K., ish e dashur e të penduarit.

“O Erjon, po kujtoje një gjë, se më plase shpirtin”, tha i pandehuri Hoxha nga kafazi. Mungesa e reagimit nga Alibej bëri që Hoxha të vijonte: “Pishmani im në jetë është që s’të vrava ty me dorën time”.

Pyetjes nëse kishte dashur ta vriste vajzën me emerin Megi K., Alibej i tha të pyeste Suel Çelën. “E ke në Peqin Suel Çelën”, tha Alibej, që sakaq i kërkoi ndjesë për përmendjen avokatit Sokol Hazizaj, që mbron Çelën në një tjetër proces. I pyetur nëse do të bashkëpunonte sërish sot me Xhuliano Hoxhën dhe Nuredin Dumanin për të vrarë Talo Çelën, Alibej iu përgjigj prerë: “Edhe me Djallin për Talo Çelën”.

Më herët, në përgjigje të Xhuliano Hoxhës dhe avokatit të tij, Alibej tha se Xhulianon e kishte përdorur si informator në vrasjen e Emiliano Ramazanit në korrik 2020 në Elbasan. Për këtë ngjarje, Alibej tha se i kishte paguar Nuredin Dumanit 80-85 mijë euro, të cilat ia kishte dorëzuar një vajze pranë një rrethrrotullimi në hyrje të Tiranës.

Ndërsa për vrasjen e Rigers Runajt, ndodhur po në vitin 2020 në Elbasan, Alibej tha se Xhuliano Hoxha i kishte treguar se e kishte masakruar me thikë në afërsi të varrezave të qytetit. Sipas të penduarit Alibej, për këtë krim i kishte premtuar 30 mijë euro Hoxhës, por i kishte dhënë shumë më tepër.

“Ia kam dhënë pjesë-pjesë, madje e kam takuar shumë herë. Kur u arrestua i kam çuar bashkëshortes së tij 25 mijë euro”, tha Alibej.

Avokati i Hoxhës i kërkoi gjykatës realizimin e një ballafaqimi mes të penduarve Erion Alibej dhe Nuredin Dumani./A2 CNN

Advertisement