Connect with us

Aktualitet

Perandoria e Dritan Rexhepit dhe pasardhësi i tij

Shqiptarët dhe italianët janë kthyer në një nga aleancat më solide në Ekuador dhe në portet e Guayaquilit dhe El Oro-s. Nuk kanë nisur sot që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por që para 15 vitesh. Në fund të viteve 1990, rreth 10,600 shqiptarë emigruan ilegalisht në Pulia, Itali, ku edhe u përfshinë në tregtinë e drogës. Ndërmjet viteve 2008 dhe 2009, këto grupe zbarkuan në Amerikën Latine për të marrë kontrollin e biznesit të kokainës, duke përdorur Kolumbinë dhe Ekuadorin si zona strategjike të veprimit. Në krimin e organizuar, ashtu si në botën e pronave të paluajtshme, lokacioni është gjithçka! Ndaj edhe Ekuadori vlen sepse ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, të cilat prodhojnë rreth 90 për qind të kokainës në botë.

Edhe pse mafia ka humbur fuqinë në Itali, ajo është bërë më e fortë në nivel transnacional, pikërisht për shkak të lidhjeve me familjet italiane të vendosura jashtë vendit dhe aleancave të saj me klane dhe kartele të tjera kriminale, veçanërisht ato shqiptare.

Kështu u forcua edhe Dritan Rexhepi. Rexhepi mbërriti në Ekuador rreth vitit 2011. Ai ishte pjesë e një vale kriminelësh të rrezikshëm, që kishin lidhje të thella me grupet kriminale në Evropë. Shqiptari kishte shumë identitete të rreme, ndaj në Ekuador u paraqit si biznesmen grek, edhe pse atëherë ishte një nga kriminelët më të kërkuar në Europë. Në Ekuador, ai ndërtoi rrjetin e tij duke përdorur kompani legjitime, me të cilat trafikonte kokainë. Ai e kishte të lehtë të krijonte kontakte në të gjitha nivelet për shkak të rrjedhshmërisë së tij në spanjisht, italisht dhe anglisht. Po ashtu, ai kishte kontakte edhe me mafiozët italianë, të cilët vepronin në Guayaquil, me modele të ngjashme kriminale, të orientuar drejt dërgimit të kokainës në Evropë. Por jo vetëm kaq! Dritan Rexhepi e kishte të lehtë të lidhej edhe me biznesmenë dhe disa politikanë vendas.

Pavarësisht influencës, Rexhepi u arrestua në Guayaquil në vitin 2014, i akuzuar për trafik droge së bashku me bandën e tij prej 10 anëtarësh. Në atë kohë ai mbante emrin Lulzim Murataj, ndaj policia ekuadoriane kërkoi informacion nga Interpoli në Evropë për të verifikuar nëse pasaporta e tij ishte e ligjshme. Vendi i parë që u përgjigj ishte Italia, ku Rexhepi ishte arratisur në vitin 2011. Autoritetet konfirmuan se ai ishte një bos i rrezikshëm droge dhe kërkuan ekstradimin e tij. Ekstradimin e Rexhepit e kërkoi edhe Belgjika dhe Shqipëria.

Edhe pse sistemi i drejtësisë ekuadoriane pranoi ekstradimin, kishte kushte. Kërkuan që Rexhepi të kryente 13 vite burg në vendin e tyre.

Pas një viti në Guayaquil, Rexhepi u transferua në Cotopaxi. Atëherë, sistemi i burgjeve kontrollohej kryesisht nga bandat në varësi të më të fuqishmit, “Los Choneros”. Ky ishte konteksti ideal që Rexhepi të vazhdonte të nxiste biznesin e tij edhe nga qelia. Në Cotopaxi, ai u bë mik me Jorge Zambrano JR, Rasquiña, Fito dhe Junior, drejtues të Los Choneros, të cilët tashmë punonin për kartelin Sinaloa. Ky ishte fillimi i partneriteteve strategjike midis Compañía Bello, të udhëhequr nga Rexhepi, dhe grupeve lokale. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë: të shisnin sa më shumë kokainë!

Edhe pse u la i lirë, Italia insistoi për ekstradimin e Rexhepi, por asnjë nga kërkesat e tyre nuk u plotësua. Përkundrazi, Rexhepi ishte i lirë madje kishte udhëtuar për në Medellín të Kolumbisë. Për të fituar kohë dhe për t’u përgatitur për arratisjen e tij, një prej bashkëpunëtorëve të tij shkonte duke u hequr si ai dhe firmoste në Polici për çdo 2 javë.

Ndërsa përpiqej të forconte rrjetet dhe strukturat mbështetëse në Turqi, Rexhepi u arrestua në Stamboll në nëntor 2023. Si një “vizionar” i zgjerimit të rrjetit kriminal, Rexhepi ishte vendosur në Turqi, me pasaportë kolumbiane, me identitetin e Benjamín Omar Pérez García. Ai kishte në plan ta kthente vendin në një korridor për lëvizjen e drogës në lindje drejt Rusisë dhe Kinës. Plani i tij ambicioz dështoi kur u arrestua pas kërkesave për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria. Ai u soll në Shqipëri dhe po vuan dënimin. Raportet e inteligjencës “bien dakord” se zëvendësuesi i tij në Ekuador ishte shqiptari Dritan Gjika, një tjetër drejtues i “Compania Bello”.

Advertisement