Connect with us

Sport

Përballja vendimtare me Moldavinë, Sokol Kushta rrëfen historinë e fitores së parë të Shqipërisë në transfertë

Përballja e sotme me Moldavinë sjell kujtime të largëta, në kohën kur skuadra jonë luante me emra të mëdhenj të viteve 1995, kur asokohe Sokol Kushta dhe Arian Bellai shënuan dy golat e parë në transfertë.

Kur rezultati ishte 2-2, Shqipëria fiton një goditje dënimi dhe Bledar Kola që i merrte përsipër, ia kalon topin Vatës. “Bjeri Rud, godite ti”, tregon Rudi Vata 28 vite më vonë në një intervistë për gazetën Panorama Sport, ku ish kapiteni kuqezi u ndal gjithashtu tek ndeshja e sotme e cila ka në dorë biletën për një tjetër kualifikim historik drejt Gjermanisë dhe sipas tij, të gjithë e kanë në dorë që ta bëjnë diferencën, por mendon se Berat Gjimshiti do të jetë protagonist kryesor.

Me aq sa kujtoj, mendoj se ka qenë një ndeshje që në atë periudhë, Neptun Bajko ishte trajner. Kujtoj që Sokol Kushta në një situatë, gjatë dëmtimit të Salvador Kaçajt, dhe aty erdhi doktori i Kombëtares Lluka Heqimi… Një situatë humoristike, le ta tregojmë. Kaçaj ishte i shtrirë nga goditja që mori mbrapa kokës dhe kur vjen doktor Lluka, Salvadori po i thoshte: “Doktor, nuk shikoj, nuk shikoj”. Si duket po i merreshin disi mendtë sepse ishte goditur në kokë. Unë i afrohem dhe e pyes çfarë ke. “Nuk shikoj, nuk shikoj”, sërish Kaçaj. Sokol Kushta, me atë theksin vlonjat tipik i kthehet dhe i thotë: “Po hapi sytë o budalla nëse do të shikosh…” Ishte një fragment, që ne po mbronim rezultatin sepse ishim 3-2”.

Më pas, Kushta u fokusua te momenti kyç i atij takimi, sipas të cilit i dha dhe fitoren skuadrës.

“Mbaj mend që ishte një goditje dënimi dhe kisha shumë besim. Kisha shënuar më duket kundër Gllasgou Rejnxhërsit në Skoci nga goditja e dënimit dhe kisha marrë një besim. Bledar Kola, që ishte lojtari, i cili merrte përsipër goditjet e dënimit sepse ishte lojtari më teknik në skuadër, e sheh që isha me besim dhe më thotë: ‘Bjeri Rud, godite ti’. Normalisht kjo fryma e komunikimit, toleranca, sepse aty unë i mora pak edhe autoritetin Bledarit, sepse ai ishte më i specializuari për këto goditje. Qëlloi me vend. Unë kisha besim që të paktën do të godisja katërkëndëshin e portës dhe me pak fat përfundoi në rrjetë.

Për Shqipërinë, ishte fitorja e parë që arrihej në kushtet e një transferte dhe emocionet ishin të padiskutueshme, ndërsa ish kapiteni i kuqezinjve ndan momentet më pikante.

“Aty e morëm vesh që Shqipëria nuk kishte fituar asnjëherë jashtë fushës për më shumë se 40 vite. Kishte një lloj ndjesie të veçantë sepse normalisht në atë kohë ne ishin një vend që kishim shumë probleme, vuajtje, sakrifica nga njerëzit. Për mua dhe për ekipin kombëtar ka qenë një moment i lumtur. Ç’mund të them më tepër. Futbolli është i tillë, që të gëzon shumë, por edhe të hidhëron shumë. Një zanat që nuk mundesh asnjëherë të jesh shumë i gëzuar, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrish shumë i mërzitur. Situatat ndryshojnë shumë shpejt. Thjesht duhet të jesh gati për betejën e radhës”

Lidhur me përballjen e sotme, ai tregoi dhe recetën se si kjo skuadër mund ta mposhtë sërish këtë skuadër, po në transfertë.

“Tani shkojmë në Moldavi me një Kombëtare krejt ndryshe, me një personalitet tjetër. Shkojmë me disa futbollistë që janë integruar mirë në ligat më të mira europiane. Kemi futbollistë që janë rritur me mentalitet shumë profesional dhe normalisht edhe përgjegjësia është më e madhe sesa ka qenë në kohën tonë. Kapacitetet i kemi për të bërë një ndeshje që do të na çojë drejt rezultatit pozitiv. Mendoj që qëllimi kryesor duhet të jetë fitorja, por edhe ajo duhet të arritur në bazë të një plani dhe në bazë të zbatimit të detyrave.

Presionin më të madh në fakt e kemi ne. Jemi skuadra surprizë e grupit dhe mendoj se futbollistët janë rritur shumë në aspektin e vetëbesimit. Sigurisht që edhe moldavët janë një kombëtare që kërkojnë të surprizojnë dhe për ta nuk mund të ketë ndeshje më të rëndësishme sesa kjo. E shohin si arritje dhe do të jenë agresivë, e ka thënë edhe trajneri i tyre. Edhe ne kemi lojtarë që do t’u përgjigjemi me agresivitet”.

Advertisement