Connect with us

Kosova

Perëndimi po përgatitet për Luftë/ Daçiç për luftën dhe dialogun

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka pretenduar se bashkësia ndërkombëtare po përgatitet të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, prandaj nuk po e zgjidh ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë për media, siç raporton mediumi opozitar serb, Danas, ai ndër të tjera ka potencuar se Perëndimi duhet të dalë me një qëndrim të qartë për rifillimin e dialogut.

“Kurti nuk do të flasë për dinarin, sepse thotë se është çështje e brendshme e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare thotë se nuk ka se si ta detyrojë të kthehet në dialog. Çfarë komuniteti ndërkombëtar është ky që mund të bombardojë Serbinë, Iranin, Afganistanin, teksa tani po përgatitet të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, por dhe nuk mund ta zgjidhë çështjen e Kurtit?” – ka pyetur Daçiç

Vlen te theksohet se një cikël i ri  negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u zhvillua këtë të martë në Bruksel nën kujdesin e BE-së.

Takimi midis ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Mirosla Lajçak erdhi pas takimeve që diplomati sllovak zhvilloi veç-e-veç mbi ndalimin e dinarit serb në Kosovë.

Megjithatë takimet e shumta në kryeqendrën evropiane s’prodhuan ndonjë rezultat konkret.

Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, deklaroi se “shumë pyetje mbetën pa përgjigje” dhe se do të nevojiten “takime shtesë” për këtë çështje në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Petar Petkoviç, shef i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve, pas takimeve të së martës, institoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, dhe akuzoi palën kosovare për dëbimin e serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan të martën e 27 shkurtit nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit “vendim politik”, qe ka per qëllim, “dëbimin e serbëve”.

Petkoviç deklaroi se qëllimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë drejtim është “shuarja e institucioneve serbe” që, sipas pretendimeve të zyrtarit serb, duhet të jenë “themel” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Ai paralajmëroi gjithashtu se diskutimet për çështjen e dinarit do të vazhdojnë në të ardhmen, por jo në nivel teknik.

Advertisement