Bota
Përgjaket “E premtja e zezë” në SHBA, tre të plagosur pas të shtënave në një qendër tregtare
Paniku shpërtheu në një qendër tregtare të mbushur me njerëz në Santa Clara të Kalifornisë, të “Premten e Zezë” (Black Friday), kur një burrë i panjohur hapi zjarr brenda qendrës tregtare Valley Fair Mall.
Tre persona, një burrë, një grua dhe një vajzë 16-vjeçare, u plagosën nga të shtënat dhe u dërguan në spital, sipas policisë.
Policia e San Jose evakuoi menjëherë qendrën tregtare, ndërsa videot që qarkulluan në mediat sociale kapën dhjetëra konsumatorë që vraponin në panik drejt daljeve.
Sipas zëdhënësit të policisë, rreshter Jorge Garibay, incidenti nuk duket se ka pasur në shënjestër qytetarë të rastësishëm. Por dyshohet se është shkaktuar nga një grindje midis dy individëve.
Autori i krimit iku para se policia të mbërrinte në vendngjarje, ndërsa arma e përdorur nuk është gjetur ende.