Connect with us

Bota

Përgjaket Maroku/ Tërmeti me qindra viktima, çfarë dihet deri tani

Një tërmet me magnitudë 7 nuk është parë në vend dhe zonat përreth për më shumë se 120 vjet. Maroku është goditur nga një nga tërmetet më të fuqishëm që ka përjetuar ndonjëherë, një tërmet që vrau qindra njerëz, shkatërroi ndërtesa historike dhe detyroi shumë të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Banorët në qytetet e mëdha përjetuan orë tmerri, ndërsa tërmeti i fortë bëri kërdi në të gjithë kombin e Afrikës Veriore, me humbje të çdo lloji që priten të rriten, nga jeta e njerëzve deri te ato ekonomike.

Sa i fuqishëm ishte tërmeti?

Mediat marokene raportuan se ishte tërmeti më i fuqishëm që ka goditur vendin deri më tani. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) vlerësoi magnitudën e tërmetit në 6.8 ballë dhe tha se ishte në një thellësi relativisht të cekët prej 18.5 km (11.5 milje). Ndërkohë, qendra gjeofizike e Marokut tha se tërmeti goditi me magnitudë 7.2 ballë.

Të vdekur dhe të plagour?

Të paktën 1000 të vrarë dhe 1024 të plagosur, sipas mediave shtetërore marokene. Shumica e të vdekurve janë në zona malore të vështira për t’u arritur. Tërmeti është më vdekjeprurësi i vendit që nga një lëkundje e vitit 2004 pranë al-Hoceima, në malet veriore Rif, ku humbën jetën më shumë se 600 njerëz.

Kur ndodhi?

Tërmeti goditi pas orës 23:00 me orën lokale (22:00 GMT) të premten në mbrëmje, sipas USGS.

Vendet ku është ndjerë?

Tërmeti u ndje në të gjithë vendin duke përfshirë provincat al-Haouz, Ouarzazate, Marrakesh, Azilal, Chichaoua dhe Taroudant.

Ku ishte epiqendra e tij?

Epiqendra e tërmetit ishte pranë vendpushimit të skive të Oukaimeden në malet Atlas, rreth 75 km (44 milje) nga Marrakesh.

Çfarë dëmesh janë raportuar deri më tani?

Banorët në Marrakesh raportuan se disa ndërtesa u shembën në qytetin e vjetër, i cili është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pamjet e murit të qytetit mesjetar treguan të çara të mëdha në një pjesë me rrënojat e tjera, që kishin përfunduar në rrugë. Turistët dhe banorët postuan video të njerëzve që bërtisnin, ndërsa iknin nga ndërtesat. Video në mediat sociale tregoi se një pjesë e një minareje u shemb në sheshin e famshëm Jemaa el-Fna në qytetin historik, duke plagosur dy persona.

A kishte pasgoditje?

USGS raportoi një pasgoditje me magnitudë 4.9 që goditi 19 minuta më vonë. Burra, gra dhe fëmijë po qëndrojnë në rrugë, nga frika e mëtejshme të goditjeve, sipas raporteve të lajmeve.

A është i zakonshëm një tërmet i kësaj magnitude në Marok?

Një tërmet i kësaj madhësie nuk është parë në vend dhe zonat përreth për më shumë se 120 vjet.

“Që nga viti 1900, nuk ka pasur asnjë tërmet M6 [magnitudë 6] ose më i madh brenda 500 km nga ky tërmet, dhe vetëm nëntë M5 [magnitudë 5] e më shumë,” tha USGS në faqen e saj të internetit.

A është ndjerë tërmeti në shtete të tjera?

Tërmeti është ndjerë deri në Portugali dhe Algjeri, sipas Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën dhe agjencinë e Mbrojtjes Civile të Algjerisë

Advertisement