Connect with us

Kronike

Përgjimet e SKY ECC në Belgjikë/ Shqiptari për 13 kg kanabis mori afro 60 mijë euro

Detja të reja vijojnë të dalin nga mega-procesi gjyqësor SKY ECC në Belgjikë. Siç raportohet, zëvendësprokurorja publike e Namurit ka listuar akuzat për personat e përfshirë në bisedat SKY ECC. Në qendër të këtij procesi gjyqësor është shqiptari Alket.V, i cili konsiderohet si “koka” e grupit kriminal. Prokuroria kërkoi për Alketin dënim me 14 vite burg, pasi ai konsiderohet truri i rrjeti kriminal.

Gjithashtu shqiptari ishte dënuar më parë me dhjetë vite burg dhe kërkohej nga autoritetet tona, por kishte ikur në Spanjë. Ktu thuhet se ai drejtonte plantacionet e shpërndara në dhjetë vende të Valonisë dhe Brukselit. Gjatë dëshmisë, shqiptari e ka mohuar rolin që ka pasur në grup, duke thënë që po e ngarkojnë me akuza nga të gjitha anët dhe më shumë se ç’duhet. Por, përgjimet tregojnë të kundërtën që 30-vjeçari shqiptar deklaron para gjykatës.

Pavarësisht mohimeve të tij, prokuroria e përshkruan si drejtuesin e padiskutueshëm të organizatës. Ai rekrutonte njerëz, paguante, organizonte, shiste dhe importonte. Fitimet ishin të mëdha, në dhjetor të 2020 për 13 kilogramë kanabis shqiptari mori 59 800 euro. Ndërsa klientët kryesorë blinin çdo javë deri në 50 kilogramë. Një i pandehur tjetër madje krenohej se kishte fituar 50 mijë euro për vetëm një orë.

Problemi kryesor ishte pastrimi i shumave të mëdha të parave. Sipas hetimeve, Alketi përdorte sistemin tradicional hawala, të njohur në vendet aziatike dhe arabe për transferime të shpejta dhe diskrete parash pa gjurmë bankare. Paratë kalonin fillimisht tek motra dhe kunati i tij në Shqipëri, më pas një pjesë kthehej në Belgjikë nën formën e “huave familjare”.

Këto shuma shpalleshin zyrtarisht si kontribute personale ose kursime për blerjen e pasurive të paluajtshme, përmes një kompanie fasadë që në letra figuronte si firmë ndërtimi, por që nuk kishte asnjë mjet apo aktivitet real. Në një përgjim të policisë në nëntor 2023, Alket.V dhe bashkëshortja e tij flisnin hapur për transferimin e 70 mijë eurove me këtë skemë. Zyrtarisht, e quanin hua, jozyrtarisht, prokuroria e cilësonte para cash nga trafiku i drogës.

Advertisement