Bota
Përmbytjet në Argjentinë, 16 të vdekur dhe mbi 1000 banorë të pastrehë

ARGJENTINË- 16 persona kanë vdekur dhe më shumë se 1200 qytetarë janë detyruar të qëndrojnë larg shtëpive të tyre për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shiu i rrëmbyeshëm të premten në Bahia Blanca. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet vlerësohen në 370 milionë euro, sipas kryebashkiakut Federico Susbieles.
Autoritetet kanë theksuar se 100 persona janë të zhdukur për shkak të fenomenit ekstrem të motit, i cili shkaktoi shkatërrim të gjerë në qytet, ku ndodhet një nga portet kryesore të Argjentinës, 600 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Buenos Aires.
Autoritetet konfirmuan se mes personave të zhdukur ka edhe dy vajza të vogla. Fëmijët, të moshës një dhe pesë vjeç, u morën nga ujërat e vrullshëm në sekonda. Kërkimet po vazhdojnë, me pjesëmarrjen e zhytësve, pasi niveli i ujit kalon një metër në zonën ku ata u zhdukën.
Sipas kryebashkiakut Susbieles, shumica e viktimave janë të moshuar, të cilët ndodheshin në shtëpi pleqsh. Deri të dielën janë identifikuar 11 viktima. Autoriteti komunal nuk e përjashton mundësinë që numri i të vdekurve të jetë edhe më i madh në qytetin prej 350 mijë banorësh.
Shiu i rrëmbyeshëm filloi herët në mëngjesin e së premtes dhe u ndal pasdite – por brenda pak orësh ranë 400 milimetra shi, afërsisht i barabartë me atë që është regjistruar në një vit të tërë në zonë. U përmbytën lagje të tëra, dukeshin vetëm çatitë e shtëpive. Sipas të dhënave zyrtare, numri i banorëve që u desh të evakuoheshin urgjentisht nga banesat e tyre ishte ende në 1277 mesditën e djeshme.

