Aktualitet
Përmbytjet në Kosovë, Shqipëria dërgon Ushtrinë
Shqipëria i është gjendur pranë Kosovës edhe në këto të momente të vështira, ku ndodhet “nën pushtetin” e ujit. Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kanë bërë me dije se në rast të përkeqësimit të situatës do të ndërhyjnë, në koordinim me autoritetet e Kosovës.
“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, shkruan kryeministri Edi Rama.
“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës.Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, shkruan Peleshi.
Zona më problematike ka qenë qyteti Skënderaj në Kosovë, ku janë shkatërruar godina si edhe janë dëmtuar makina. Mediat e Kosovës kanë siguruar pamje nga përmbytjet në Skënderaj. Ditën e djeshme u shpëtua një grua në Llaushë të Skenderajt nga dy zyrtarëve të komunës së Skenderajt. Edhe Mitrovica ka pësuar shumë dëme. Situata e krijuar që prej 19 janarit ka sjellë përkeqësime thuajse në të gjithë vendin. Disa familje janë evakuuar.
Ndërsa në Istog ka qëndruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka shkuar atje së bashku me dy ministrat e tij, Armend Mehaj e Elbert Krasniqi.
“Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.” – shkroi Kurti në Facebook.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar.