Connect with us

Aktualitet

Përmbytjet në Lezhë/ Evakuohen 4 familje në Zejmen pas reshjeve intensive

Rreth katër familje në Zejmen të Lezhës janë evakuuar, pasi banesat e tyre janë përmbytur për shkak se ndodhen nën nivelin e kanaleve kulluese. Ekipet e emergjencës civile ndodhen në zonat e përmbytura të qarkut të Lezhës, duke evakuuar banorët e prekur dhe duke i strehuar në konviktin e shkollës profesionale në qytetin e Lezhës.

Një situatë e ndërlikuar paraqitet në lagjen “Sakë”, një zonë depresive ku disa banesa janë aktualisht të rrethuara nga uji. Për shkak se zona ka status të mbrojtur, ndërhyrjet e Bashkisë kërkojnë aprovimin e Ministrisë, gjë që e vështirëson menaxhimin e menjëhershëm. Shqetësuese mbetet edhe gjendja në Njësinë Administrative Kallmet, ku rezervuari ka arritur pikën maksimale për shkak të prurjeve të shumta. Probleme janë regjistruar edhe në Dragushë dhe në Dajç, ku kanalet e ujërave të larta paraqesin rrezik nëse reshjet vijojnë me intensitet.

Në Kurbin, zona më e prekur nga përmbytjet, është evakuuar vetëm një familje në fshatin Gjorm. Ndërsa në Mirditë situata paraqitet më e qetë, me probleme të kufizuara në disa rrugë rurale ku janë shënuar rrëshqitje dhe prani inertesh. Ndërhyrjet e kryera gjatë ditës kanë ndihmuar në stabilizimin e gjendjes.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit bëri të ditur se hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë. Ekipet kanë ndërhyrë në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në kanalet e ujërave të larta të Zadrimës, duke kontribuar në parandalimin e përkeqësimit të situatës. OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë në disa zona gjatë paradites, por ndërhyrjet teknike bënë të mundur rikthimin e furnizimit në të gjitha zonat. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka shtuar patrullat dhe monitorimin në akset problematike, me qëllim kufizimin e lëvizjes së mjeteve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Advertisement