Kosova
Përpjekja e ricikluar për të diskualifikuar të dërguarin special amerikan Gabriel Escobar
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës” – Kështu ka thënë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në rajonin në të cilin bën pjesë edhe Kosova.
Krerët e shtetit të vogël ballkanik në disa raste aluduan se ai qëndronte në anën e Serbisë dhe specialisti i diplomacisë nuk e pati të lehtë detyrën e emisarit, duke parë që thirrja e tij e vazhdueshme që Albin Kurti të kordinohej me Perëndimin, këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij, dhe të cilat janë ricikluar javën e fundit.
U pa se detyra e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk ishte e lehtë as për një specialist të diplomacisë si Gabriel Escobar.
Siç ndoshta nuk do ta ketë pritur diplomati amerikan, disa pushtetarë në Kosovë dhe mbështetës të tyre, në forma të ndryshme, hodhën akuza në drejtim të tij, duke e lidhur atë edhe me Serbinë.
Pothuajse në çdo paraqitje publike, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u mundua të argumentonte se SHBA-ja ka bërë shumë gjëra në favor të Kosovës. Thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij. Nga Kosova ai priti themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që s’do ta rrezikonte Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Për një strukturë të tillë vetëmenaxhimi për serbët ishin pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.
Nëse sulmuesit e Escobarit dhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk do të mendonin se i dërguari i SHBA-së e bëri thjesht për ta joshur Qeverinë, mund të konstatohet se Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht.
Gabriel Escobar, më herët, dhe jo vetëm një here kishte pranuar edhe publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin Kurti”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.
Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideroi si aspiratën më të lartë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofronte mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunonin me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të niste vitin e kaluar.
Kështu thoshte Escobar në Capitol Hill në verën e vitit 2023, në një mbledhje ku Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit.