Rajon
Përplasja e trenave/ 19-vjeçarja: Mora babain, i thashë po digjemi të gjallë
Pas përplasjes tragjike të dy trenave në Greqi e cila shkaktoi 57 viktima e dhjetëra të plagosur, të mbijetuarit kanë rrëfyer momentet e tmerrit.
Një 19-vjeçare e quajtur Vasilika, ka treguar për mediat greke se në momentin që ndodhi aksidenti ajo ndodhej në mensën e trenit bashkë me shokun e saj.
Ajo tha se në momentin e përplasjes mendoi se do të vdiste, por fatmirësisht arritën të dalin nga të çarat që ishin krijuar në vagon.
“Në momentin e përplasjes ishim në tavolinën e parë në mensë… U bë një zhurmë dhe gjithçka u nxi. Ka marrë flakë direkt. Shpejt erdhëm në vete. I telefonova Stelios dhe më tha që edhe ai ishte gjallë. Para nesh kishte një vrimë në dysheme. Dolëm që andej, dolëm jashtë dhe ecëm disa metra. Ne nuk kishim celularë, gjetëm një telefon të shkyçur. Mora babin dhe i thashë se po digjem…”, rrëfen ajo.
Më tej Vasiliki tregon se kishte shumë persona që ishin përfshirë nga flakët dhe hidheshin nga dritaret e vagonave për të mbijetuar, por që fatkeqësisht shumë prej tyre nuk ia dolën dot mbanë.
“Gjithçka po digjej, menduam se këto ishin momentet tona të fundit.Njerëzit digjeshin, binin nga vagonët. Dolën edhe njerëz që ishin mirë, me valixhe. Stelios ishte zbathur. Menduam se do të vdisnim, se këto ishin momentet tona të fundit”, thotë Vasiliki.