Kronike
Përplasja me armë në Kallmet/ Merret i pandehur…
Ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit në Lezhë Besnik Simoni i cili u përfshi në një konflikt me armë zjarri me një bashkëfshatar të tij në muajin prill të këtij viti, është marrë i pandehur nga prokuroria e Lezhës.
Hetimet në lidhje me këtë çështje janë mbyllur dhe dosja penale e hetuar nga prokurori Françesk Ganaj është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës.
Ndaj ish-zyrtarit lokal është ngritur akuza e plagosjes në tejkalim të kufijve të vetëmbrojtjes si dhe armëmbajtja pa leje, ndërsa për shtetasin Altin Marku është ngritur akuza “Vrasja e Mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Sipas dosjes hetimore ka qenë Altin Marku i cili ka qëlluar me armë zjarri plot 9 herë në drejtim të ish-funksionarit të pushtetit vendor Besnik Simoni.
Ky i fundit i është përgjigjur me armë zjarri duke qëlluar ndaj bashkëfshatarit te tij.
Nga të shtënat të dy personat mbeten të plagosur, por 41-vjeçari Besnik Simoni ka mohuar të ketë qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëfshatarit të tij, ndërsa dhe arma nuk është arritur të gjendet.
Fillimisht policia raportoi se ishte plagosur në një atentat, zyrtari i pushtetit vendor Besnik Simoni, por 4 orë me vonë blutë gjeten të plagosur në një banese në fshatin Kallmet të Lezhës dhe autorin shtetasin Altin Marku.
Pas veprimeve paraprake hetimore, policia doli në konkluzionin se të dy personat kanë qëlluar në drejtim të njeri-tjetrit dhe ata u vunë në pranga.
Por pas 6 muajsh, ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit Besnik Simoni u lirua nga paraburgimi, pasi gjykata ndryshoi masen e sigurisë nga arrest në burg në arrest në shtëpi.
Me këtë vendim nuk është pajtuar prokuroria e cili ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit në Shkodër, duke kërkuar që i pandehuri të rikthehet në burg. Altin Marku vijon të qëndrojë në paraburgim, pasi kërkesat e tij për liri janë rrëzuar nga Gjykata e Lezhës