Aktualitet
Përplasja mes fiseve/ Eksperti i Sigurisë: Të bëhet Vetting dhe test drogë për efektivët
Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në një emision foli për ngjarjen e fundit kriminale të ndodhura në vend.
Gjatë bisedës në studio, ai u shpreh se duhet të ketë edhe një bashkëpunim mes qytetarëve dhe autoriteteve, për vendosjen e rendit.
“Kanë filluar në modë shkopinj bejsbolli, pas një ekipi në Lezhë, doli edhe një në Durrës. Ngjarjet kriminale ndikojnë negativisht tek publiku. Duhet të reflektohet nga partia qeverisëse, nga parlamenti që nga drejtuesit e lartë të policisë tek kriteret e vendosura për ta e deri tek institucionet e vogla”, tha ai.
Ndërsa u ndal tek ngjarja e dhunshme në Hamallaj, pas konfliktit mes familjes Kaçi dhe Nikolla ku i përfshirë ishte edhe ish-gardisti Martin Nikolla, eksperti i Sigurisë theksoi se duhet të ketë një reflektim nga qeveria.
“Kemi disa deklarata të ministrit të Brendshëm që sapo ka marrë detyrën dhe ishin deklarata si një njeri i jashtëm. Por a ka dritë në fund të tunelit? Mundësitë janë, por duhet të kthehemi tek vlerat. Pasi profesionistët nuk kanë para për të paguar dhe nuk kanë mundësi të hynë tek lista preferenciale e një kryetari partie. Aq kohë sa institucioni shtetëror është ndërtuar në mënyrë të padrejtë, këto ngjarje do të ndodhin. Si mund të parandalohen këto fenomene? Duhen hapur institucionet, të hapen policia. Nëse e mbajnë të mbyllur për interesat e tyre, ky realitet është i hidhur.”, ka thënë Softa.
Më tej shtoi: Të huajt kanë nxjerrë në pah korrupsionin në Shqipëri. Por sot si mund të shkoj të denoncoj krimin kur kemi parë që drejtori është më keq se polici. Besimi duhet të kthehet me reformë te polici. Duhet të ketë Vetting brenda radhës së policisë, kontrolli për përdorues drogë, pasi e dimë që disa përdorin drogë. Ndryshimet në polici nuk duhet të vijnë me emra, por me platforma.