Politike
Përplasje në PD/ Luan Baçi braktis takimin, Edmond Spaho i pakënaqur që u zëvendësua
Flamur Noka dhe Edi Paloka do koordinojnë fushatën në të gjithë vendin në mungesë të liderit demokrat. Sali Berisha ka vendosur të bëjë lëvizje sa taktike po aq dhe politike në qarqet e mëdha të vendit.
Luçiano Boçi u zhvendos në Shkodër, ndërsa Ervin Salianji, i cili fitoi zgjedhjet në Kavajë, është vlerësuar duke u vendosur në krye të qarkut të Elbasanit. Agron Gjekmarkaj u rikthye në Lezhë, aty ku PD fitoi në zgjedhjet e 2021.
Durrësi nuk pati surpriza ku u konfirmua Oerd Bylykbashi. Gazment Bardhi u largua nga qarku i Elbasanit për t’u zhvendosur në Fier ku spostoi Luan Baçin, i cili megjithëse pranoi vendimin e kryetarit, braktisi mbledhjen e Kryesisë.
Qarku me më shumë mandate Tirana, iu besua Belind Këlliçit, ish- kandidatit humbës në betejën e kryeqytetit, ndërsa surprizoi emri i drejtuesit politik të Korçës, Ivi Kaso, duke nxjerrë jashtë loje Edmond Spahon, i cili nuk e fshehu pakënaqësinë e tij për këtë vendim që më parë e mori vesh nga mediat.
Drejtuesit e tjerë nuk prodhuan surpriza, Trian Shehu nuk u lëviz nga Gjirokastra dhe Flamur Hoxha u caktua në Kukës. Për Tomor Alizotin nuk pati asnjë vend të lirë, ndërsa Enno Bozdo mori drejtimin e Beratit.
Bujar Leskaj mbajti Vlorën dhe Xhelal Mziut iu plotësua dëshira për Dibrën. Ata të cilët mbeten të pakënaqura ishin anëtaret gra të Kryesisë. Edit Harxhi u habit teksa nuk dëgjoi se në listë nuk kishte asnjë drejtuese zonjë duke u shprehur e turpëruar që PD është kthyer në parti burrash.
Por Sali Berisha u mundua të ngushëllojë zemërthyerit duke i siguruar se vendin e sigurt në lista për momentin nuk e kanë as drejtuesit e politik pasi më parë duhet të kalojnë filtrin e primareve.
“Ne jemi parti që për zgjedhjen e deputetëve e ka të fiksuar në statutin e saj me mekanizmin e primareve.
Sali Berisha lajmëroi se PD do zbresë në rrugë duke shpallur të hapur stinën e protestave deri në realizimin e kushtit kryesor, qeveri teknike”, tha ai.