Pinknews
Përplasje të reja Qeveri-Lajçak, Osmani e ashpër ndaj Peter Stano
Kritikave të aleatëve për veprime të njëanshme që mund të çojnë në tensione të reja në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës realizon hapjen e Urës së Ibrit iu përgjigj dje zëvendëskryeministri i parë me akuzën se ndërmjetësit po ndërrojnë fjalët. Besnik Bislimi tha se nuk mund të konsiderohet veprim i njëanshëm zbatimi i një marrëveshje të ndërmjetësuar nga vetë Unioni më 2015 e 2016. Ai akuzoi BE-në se po e kërcënon Kosovën, ndërsa në përgjigjen që erdhi nga BE, ndërmjetësi Miroslav Lajçak tha se këto deklarata janë “mashtruese”.
Pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e djeshme të Qeverisë se për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve do të “të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë”, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, përmes Facebook-ut tha se vetë BE ka ndërmjetësuar një marrëveshje për hapjen e urës mes Kosovës dhe Serbisë disa vite më parë.
“Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016. Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”. Raporti për Vendin i vitit 2020 nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”. Ky është formulimi i BE-së, por marrëveshja është arritur mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bislimi.
Ai zbuloi edhe një bisedë të tij me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili, siç tha Bislimi, ka thënë se Kosova mund të diskutojë me komunitetin serb në veri për këtë çështje. Zëvendëskryeministri po ashtu zbuloi se matjet në Urën e Ibrit ishin kërkesë e një vendi anëtar të QUINT.
“Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokalë në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektime teknike. Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive”, tha Bislimi.
Një përgjigje për këtë deklaratë të Bislimit erdhi më vonë nga emisari Lajçak. Përgjigjja bartte një akuzë për mashtrim.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë mashtruese. Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve që preken nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmëri ndaj pakicës”.
Përkundër kundërshtive nga Kosova se çështja e hapjes ose jo të një ure brenda territorit të vendit nuk mund të dialogohet me një shtet fqinj, Lajçak tha se kjo do të diskutohet në tryezën dialoguese Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”.
Replika për Lajçakun nuk u bë më nga zëvendëskryeministri.
Ministri Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shfrytëzoi profilin e tij në X për t’iu kundërpërgjigjur Lajçakut.
“I dashur Miroslav Lajcak, vetëm së fundi BE-ja ka thënë se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialog. Më parë, kishte deklaruar vazhdimisht se “ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, sipas Raportit për Vendin midis viteve 2018-2022. Është e qartë se ka një ndryshim në qëndrimin e BE-së për të njëjtën çështje. Kështu, është e drejtë t’u thuash njerëzve pse ky ndryshim krejt i kundërt? Çfarë ka ndryshuar nga viti 2023 deri më 2022 që BE të kalojë nga “hapja e urës pa vonesa të mëtejshme” në “duhen më shumë bisedime”?”.
Përveç qeveritarëve edhe shefja e shtetit e kritikoi BE-në për insistimin që Ura e Ibrit të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, Vjosa Osmani i konsideroi “komente raciste” ato të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.
Këtij të fundit ia përmendi edhe vendin prej nga është – Sllovakinë.
“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste, gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundër kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës, por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”.