Connect with us

Rajon

Përse fitoi sërish partia e Vuçiçit në zgjedhjet e Serbisë?

Partia e presidentit Aleksandër Vuçiç ka marrë sërish shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare serbe. Aleanca opozitare prej 15 partish arriti vetëm një rezultat jo të keq.

Filip Svarm, kryeredaktor i revistës serbe “Vreme” është i frustruar me rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Tani vjen një raund i ri i “pushtetit pa limit të SNS”, tha ai për DW.

Sërish partia e 53-vjeçarit u bë forca më e madhe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të dielën (17 dhjetor 2023) dhe mund të sundojë pa ndihmën e ndonjë partie tjetër.

Me gjithë dominimin e madh të Vuçiçit, aleanca opozitare pro-evropiane, “Serbia kundër dhunës”, e përbërë nga 15 parti nga e majta, të gjelbrit e deri te qendra e djathtë, pati një sukses të respektueshëm. Opozita pro-evropiane arriti së paku të merrte 23 për qind, tha politologu Dushan Milenkoviç në një intervistë për DW.

Siç edhe pritej, vëzhguesit e zgjedhjeve dhe organizatat joqeveritare raportuan një sërë rastesh të dyshuara për manipulim zgjedhor. Mendohet se rreth 40,000 votues janë dërguar nga jashtë në Beograd dhe komuna të tjera për të votuar për SNS duke përdorur pasaporta false.

Suksesi i SNS mund të ketë të bëjë pothuajse tërësisht me vetë Vuçiçin. Shtatlarti prej dy metrash gjatësi, që e drejton Serbinë si autokrat, nuk ishte as kandidat. Megjithatë, vetëm ai vendosi tonin në fushatën zgjedhore. Lista e tij “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk duhet të qëndrojë në vend” u sugjeroi votuesve se nuk po votonin për parlamentin dhe komunat, por për vetë presidentin. Nuk është çudi, pra, që sipas sondazheve të organizatës joqeveritare CRTA, një në katër qytetarë në Serbi besonin se Vuçiç do të kandidonte vetë në zgjedhje. Rreth 60 për qind madje besonin se Vuçiç ishte kandidati kryesor për partinë e tij.

Po pse SNS-ja e Vuçiçit dominoi vendin? Shkaku është një kombinim i disa arsyeve. Njëra syresh është “Sistemi Vuçiç” sepse, pothuajse dhjetë për qind e të rriturve janë anëtarë të SNS. Vuçiçi preferon t’i shpërblejë mbështetësit e tij në parti dhe votat elektorale me diçka në këmbim – përfshirë vende pune ose para.

Për sa i përket politikës së brendshme, Vuçiç rregullisht shërben te pjesë të elektoratit të tij me tone nacionaliste, çështjen e Kosovës dhe përcjell në mënyrë retorike atë që duan të dëgjojnë nacionalistët serbë: Kosova duhet të mbetet serbe – një pikë kjo që përbën shqetësim për BE-në.

Advertisement