Connect with us

Kosova

Peter Sorensen merr konfirmimin e ambasadorëve të BE-së për të zëvendësuar Lajçak-un

Ambasadorët e Bashkimit Evropian, të premten, e kanë konfirmuar, Peter Sorensen-in për postin e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

Sorensen, nga 1 shkurti, pritet të zëvendësoj në këtë pozitë Miroslav Lajçak-un, mandati i të cilit kalon më 31 janar.

Diplomati danez në këtë pozitë është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.

Ndërkohë ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të nis mandatin e tij nga fillimi i shkurtit.

Sorensen aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Ai ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Për postin e lehtësuesit të dialogut garoi edhe Pekka Haavisto, ish-ministri i Jashtëm i Finlandës dhe ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

Advertisement