Kosova
Petritsch i sigurt se Asociacioni s’do jetë një Republikë Sërpska
Wolfgang Petritsch, diplomati austriak dhe ish i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën, ka shprehur bindjen e tij se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë një Republikë Sërpska, ndërsa ka shtuar se Kosova, nëpërmjet këtij mekanizmi, do të kontrollojë pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, diplomati austriak ka thënë se shqetësimet gjithmonë janë të bazuara, por në të njëjtën kohë, duhet të tejkalohen në formën ligjore dhe në aspektin praktik, duke siguruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë i njëjtë sikurse entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtat një shteti, sikur në rastin e Bosnjës. Prandaj, të jeni të sigurtë se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë” – ka thënë Petritsch.
Duke komentuar mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, diplomati austriak ka shprehur skepticizmin e tij se do të ketë përparim të shpejtë në këtë drejtim, dhe ka bërë thirrje për të finalizuar dhe për të zgjidhur çështjet e fundit të rëndësishme që mbesin ende të hapura në Ballkanin Perëndimor.