Kosova
Picula godet me ‘RAKETA’ Serbinë e Vuçiçit
Tonino Picula, deputet nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” vlerësoi se Bashkimi Evropian toleroi regjimin autoritar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke mos e sanksionuar për inkursionin e vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës.
Duke theksuar se Serbia ende nuk ka vendosur sanksioneve kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë dhe ka mbetur prapa në aspektin e përafrimit të përgjithshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, eurodeputeti kroat shprehet skeptik se diçka do të ndryshojë në të ardhmen, posaçërisht sepse Serbia s’u sanksionua për ngjarjet në veri.
“Duhet thënë gjithashtu se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e strategjisë së disa institucioneve të BE-së, të cilat me kalimin e kohës u shndërruan në të ashtuquajturat roje të stabilitetit, pra u kthyen në politikën e tolerimit të rendit autoritar të Vuçiçit për ruajtjen e iluzionit se ai është një instrument i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve rajonale”.
“Nuk jam i sigurt se mund të presim ndonjë ndryshim nga autoritetet në Serbi në të ardhmen e afërt, veçanërisht ngase regjimi serb nuk u sanksionua nga Perëndimi as pas zgjedhjeve të diskutueshme, as pas sulmit të armatosur në Banjska”, shtoi Picula, i cili është raportues i PE-së për Malin e Zi.