Politike
Pikat kyçe për përmirësim/ Brukseli letër Shqipërisë për hapjen e grupkapitullit 4 të anëtarësimit në BE

Shqipëria hap së shpejti grup kapitullin e katërt, duke shënuar një hap tjetër në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Njoftimi i Kryeministrisë:
Përvijohet rruga për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhjae Qëndrueshme
Sot, më 11 qershor 2025, pasi ka konstatuar se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të BashkimitEvropian.
Kapitujt e Grupkapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;
Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;
Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane;
ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.
Përmes negociatave të këtyre kapitujve, Shqipëria pritet të bëjë hapa konkretë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, përmirësimit të ndërlidhjes rajonale dhe evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme.
Ky është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe transformimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare në rrugën drejt familjes evropiane.
Ky vendim i Bashkimit Evropian konfirmon ecurinë e suksesshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Ai është një tregues i qartë i përparimit të prekshëm në përmbushjen e reformave ekonomike, i përgatitjes dhe aftësive të të gjitha institucioneve shqiptare dhe aktorëve ekonomik, si dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave për anëtarësim, por njëkohësisht përforcon besimin se Bashkimi Evropian mbështet një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete, të matshme dhe përmbushje të standardeve evropiane

