Kronike
PISTA E FUNDIT/ Dyshimi i fortë për shkakun e vdekjes në mesnatë
TIRANE– NTV.AL mësoi se Leart Kurti dyshohet se ka ndërruar jetë pasi kishte gëlltitur 2 qese me kokainë. Pasi policia i dha shenjë ndalimi, burime të mirëinformuara i thanë NTV.AL, se i riu nisi të vraponte që të mos i gjendej në trup droga. Gjatë ndjekjes policore, ai ka gëlltitur me shpejtësi kokainën, por qeset i janë çarë në trup. Këtu dyshohet se nisi edhe rruga drejt vdekjes. 32-vjeçari është shtangur menjëherë dhe brenda 30 minutash ka ndërruar jetë. Dyshohet se shkak për vdekjen është bërë overdoza. Ky është një version paraprak dhe i pakonfirmuar nga autoritetet që deklarojnë se Lear Kurti ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë shoqërimit nga Policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnate kur i riu ishte duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka” në këmbë i vetëm. Policia i kërkoi të ndalonte por ai është larguar me vrap. Patrulla nisi ta ndiqte dhe e prangosi pranë një marketi në rrugën “Don Bosko”. Pas ndalimit ai u shoqërua për në komisariatin e Policisë nr.3 ku ka nisur të ndihet keq. Për gati 5 minuta, atje i riu ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe më pas policia duke mos pritur autoambulancën e dërgoi në spital me makinë policie.
Gjatë rrugës për në spital ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh). Por ajo që është e paqartë është vendi i vdekjes. AMP deklaron se vdiq në spital, ndërsa Spitali i Traumës thotë se i riu kishte ndërruar jetë kur mbërriti atje. Trupi ndodhet tashmë në morg ku pritet ti nënshtrohet ekspertizës së thelluar.