Kronike
Plagosi me armë punonjësin e IMT-së, detaje të reja
Shembja e një banese në kryeqytet ka terrorizuar një lagje të tërë pasditen e djeshme. Pasi punonjës të IMT-së zbarkuan dje në lagjen Todi Shkurti për të zbatuar urdhrin për shembjen e një banese pa leje, kanë hasur në kundërshtinë dhe në rebelimin, deri në përdorimin e armës, nga një kryefamiljar. Qani Muça pasi është zënë verbalisht me punonjësit e IMT-së dhe policinë, është konfiktuar dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësit Ilirjan Gavelli, duke e plagosur në bark.
Sipas informacioneve dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur, nuk ka pranuar që IMT t’i shembë banesën.
Autori u vu në dijeni nga vajza e tij e vogël e cila ishte në banesë e vetme se kishte ardhur IMT-ja, iu afrua vendngjarjes, ndërkohë që me vete kishte dhe një armë zjarri, pistoletë. Mes Muçës dhe punonjësve të IMT-së ka pasur përplasje verbale dhe fizike, dhe më pas ai ka hapur zjarr ndaj Gavellit, i cili ka firmosur edhe aktin për shembjen e banesës. Më pas mësohet se ai ka qëlluar disa herë në drejtim të mureve të banesës, ndërsa një prej plumbave ka përfunduar në një makinë.
Një tjetër detaj i rëndë është fakti se autori ka kërcënuar me armë edhe një rom që kishte ndalur pranë banesës që të merrte hekurat që kishin mbetur pas shkatërrimit. Në gjendje të rënduar psikologjike, mësohet se ai ka qëlluar me armë drejt hekurmbledhësit, ndërsa plumbi e ka prekur duke e gërvishtur lehtë në krah.
Ndërkohë ai është arrestuar fill pas ngjarjes së rëndë, e cila mund të kishte përmasa edhe më të mëdha. Punonjësi i IMT-së është dërguar në spital ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Aktualisht gjendjen shëndetësore e tij është stabël.
NJOFTIMI I POLICISE
Plagosi me armë zjarri një punonjës të I.M.T-së, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 kapin dhe shoqërojnë menjëherë autorin e dyshuar.
Policia sekuestron dhe armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Më datë 12.08.2022, rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”, shtetasi Q. M., 55 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, punonjësin e i IMT-së, shtetasin I. G., 52 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar ekzekutimin e një vendimi.
52-vjecari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Autori është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat, së bashku me armën e përdorur gjatë kryerjes së krimit, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.