Connect with us

Kronike

Plagosje dhe dhunë në familje, arrestohen 3 persona

Njoftimi i Policisë:

DVP Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaluan shtetasin në kërkim K. Z., 30 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në datën 30.12.2022, në Tiranë, 30-vjeçari i ka vjedhur një shtetasi tjetër, një shumë parash. Veprimet e mëtejshme për këtë rast u kryen nga Komisariati i Policisë Nr. 6, Tiranë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 49 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij, për të cilin u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 46 vjeç, banues në fshatin Bishnicë, Pogradec, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur dhe ka goditur me grushte dhe sende të forta në trup, 2 shtetas të tjerë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë të ftohtë me teh metalik, të cilën e posedonte pa leje. Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. V., 47 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi ka tentuar të nxjerrë nga banesa qiramarrësin e tij, duke dëmtuar derën hyrëse të banesës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. M., 41 vjeç dhe E. B., 40 vjeç, banues në fshatin Shalës, Kolonjë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në unazën e qytetit të Ersekës, duke transportuar me automjetin tip “Mitsubishi”, lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Materialet i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.

Advertisement