Rajon
Plas mes Kroacisë e Serbisë/ Daçiç dërgon notë proteste me urgjencë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka dënuar ashpër deklaratën e kreut të diplomacisë kroate, Gordan Grliç Radman, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është një “trabant rus” dhe i ka dërguar një notë proteste Zagrebit.
Daçiç, dikur bashkëpunëtor besnik i kriminelit Sllobodan Millosheviç, tha se në Kroaci, urrejtja ndaj serbëve po ndërtohet sistematikisht dhe se një shembull i tillë është deklarata e ministrit të Jashtëm kroat, Grliç Radman, I cili ka sulmuar Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç
“Askush nuk ka të drejtë, sidomos Kroacia të ndërhyjë brutalisht në punët e brendshme të vendit tonë. Serbia është një vend që udhëheq një politikë të jashtme sovrane dhe të pavarur, e cila është vetëm në interes të qytetarëve dhe popullit tonë”.
Edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i zemëruar nga deklarata e Radman, ne reagimin e tij theksoi se ministri kroat jo vetëm që përzihet brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, “por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e Serbisë”.
“Grliç Radman ka të drejtë për një gjë, ndoshta unë jam rob i dikujt, por kurrë nuk kam ka qenë djaloshi dhe shërbëtori i askujt, gjë që nuk mund të thuhet për Grliç Radman” – ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Gjithashtu ka reaguar edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila tha se deklarata e ministrit të Jashtëm kroat ishte një gjest diplomatikisht i vrazhdë dhe i papranueshëm.
“Frustrimi i Kroacisë dhe makthi i tyre më i keq është se Vuçiç ulet në karrigen serbe dhe jo në shumë karrige kur bëhet fjalë për politikën e jashtme” – potencoi Brnabiç, sipas se cilës, deklarata e Radman është një tjetër presion ndaj Serbisë, “siç është edhe rezoluta e Parlamentit Evropian lidhur me Kosovën dhe mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”.
Kryediplomati kroat tha se Serbia po ndjek një politikë të dyfishtë. Po përpiqet të afrohet me BE-në dhe Rusinë në të njëjtën kohë, por në fund do të duhet të vendosë në anën e kujt do të jetë.
“Vuçiçi bashkë me politikën e tij duhet të vendos se në cilën karrige do të ulet, sepse është e pakëndshme të ulesh në dy karrige. Presidenti serb nuk duhet të ketë ndonjë dilemë të madhe, ai e di se nga e ka mbështetjen”, tha Radman.
“Ai mund të jetë një lloj ‘trabanti apo sateliti i Rusisë’, por si aleatë dhe partnerë me SHBA-në, ne nuk do të lejojmë asnjë ndikim rus apo ndikime të tjera malinje që do të cenonin stabilitetin e Ballkanit Perëndimor” – theksoi kryediplomati kroat.

