Aktualitet
“Po luaja”/ Dyshohet se tentoi të rrëmbejë 2-vjeçaren, ja çfarë deklaroi gruaja ‘misterioze’
Të tjera detaje mësohen në lidhje me një ngjarje të ndodhur disa ditë më parë dhe që dyshohej se kishim të bënim me një rrëmbim të një vajze 2-vjeçare në një market në Tiranë.
Policia ka identifikuar dhe ka marrë në pyetje gruan, e cila mori për dore të miturën dhe doli bashkë me të jashtë marketit. Ajo është një 57-vjeçare dhe dyshohet se është me probleme të shëndetit mendor.
Gruaja ka thënë përpara oficerëve të policisë se thjesht po luante me vajzën. “Po luaja me vajzën. I dhashë një çokollatë dhe dola jashtë. Nuk kisha synim ta rrëmbeja, por thjesht po luaja”, ka thënë gruaja.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 15.09.2024, i cili bën fjalë për një ngjarje të ndodhur në Rrugën e Barrikadave, ku brenda një marketi një shtetase ka marrë në krahë një të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga marketi dhe më pas është rikthyer sërish, ju njoftojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasen R. B., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 57-vjeçaren, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 110/22 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi sot policia në lidhje me ngjarjen.