Kosova
‘Po na minojnë jetën, Ballkanit nuk i duhen moderator nga Perëndimi’
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka thënë se popujt ballkanikë do të mund të arrijnë më lehtë marrëveshje nëse bisedojnë drejtpërdrejt mes tyre dhe nuk kanë nevojë për “moderatorë” nga jashtë.
Ai ka shtuar se ka dyshimin se shtetet e Ballkanit “nuk lejohen nga disa në Perëndim që të arrijnë një marrëveshje vetë”.
“Gjithmonë është dikush nga jashtë që ofron shërbime ndërmjetësimi dhe sjell njëfarë kapaciteti demokratik, institucional, i cili sipas tyre do t’i ndihmojë popujt ballkanikë, të ngecur në të kaluarën, të kuptojnë njëri-tjetrin më mirë. Dhe kjo që po na ndodh sot më tregon se është dikush jashtë Ballkanit që po na kthen në të kaluarën dhe nuk na lejon të flasim as për të tashmën as për të ardhmen”, tha Vuçeviç.
I pyetur nëse ka patur përpjekje për arritjen ndonjë marrëveshje mes vet kombeve ballkanike, Vuçeviç ka pranuar që PO dhe se ato “nuk janë braktisur”.
Sipas tij, një komponent i caktuar ndërkombëtar gjithë këto vite ka qenë garantues i paqes dhe stabilitetit, por “jo pak herë është parë në praktikë se nuk kontribuon për paqen në Ballkan, por për të kënaqur interesat e të tjerëve”.
“Nisma “Ballkani i Hapur” është një tregues se marrëdhëniet në Ballkan mund të rregullohen ashtu siç janë të rregulluara edhe në BE.” – deklaroi Vuçeviç
Duke komentuar faktin se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pranuan t’i bashkohen nismës, ai tha se pyetja është “kush inkurajoi që ai projekt të kufizohej apo që të mos përfshiheshin të gjithë në të”.
I pyetur për “Asamblenë Gjithëserbe” që Serbia dhe Republika Srpska mbajtën së fundmi në Beograd, Vuçeviç theksoi se ai u mbajt në një moment politik sfidues për çështjet e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Nuk po them se po shkojmë drejt luftërave dhe konflikteve, por padyshim po ecim drejt marrëdhënieve më komplekse” – tha kryeministri i Serbisë.