Kronike
Polici i Rrugores akuza ndaj oficerit që dhunoi kamarierin 18-vjeçar: Më përplasën gruan…

Efektiv i vjetër i policisë rrugore në Vlorë, Rexhep Llacaj akuzon ish-shefin e qarkullimit rrugor në Vlorë, Ardian Isufi, se ka ndikuar në fshehjen e provave të një aksidenti rrugor në vitin 2021, ku mbeti e plagosur rëndë bashkëshortja e tij. Isufi është njëherësh dhe oficeri i cili dhunoi kamarierin 18-vjeçar në Vlorë disa ditë më parë për një shishe uji.
Llacaj tha për mediat se Ardian Isufi, i cili në atë kohë ishte OPGJ i ngjarjes, ndikoi në fshehjen e provave. Ai thotë se kur ishte vartës i Ardian Isufit, në kohën kur ishte shef i qarkullimit rrugor të qytetit të Vlorës, i kërkoi atij të zbardhej ngjarja e aksidentit të 2021.
“Gjithçka ka nisur në datën 24 Janar të vitit 2021, kur bashkëshortja dhe fëmijët e mitur po kalonin rrugën dhe në atë moment vjen një automjet i cili e merr përpara bashkëshorten dhe traumatizon fëmijët. Bashkëshortja qëndroi në koma për një kohë të gjatë, ndërsa sot është e paralizuar dhe fëmijët janë traumatizuar. Kur kam shkuar pas disa ditësh për të kërkuar pamjet nëpër biznese, mu tha se mos u mundo kot se ngjarjen e kanë fshehur, kanë ardhur efektivë të tjerë që kishin ardhur më përpara dhe fshirë”, tha Llacaj.
Si ndodhi ngjarja?
Një episod dhune i paprecedentë është regjistruar në ambientet e një hoteli në Vlorë gjatë fundjavës. Një kamarier, 18-vjeç është dhunuar nga një efektiv policie jashtë shërbimit dhe një person tjetër që rezulton me të kaluar kriminale.
Oficeri Ardian Isufi dhe Leart Bino kanë nisur t’i kërkojnë llogari kamarierit, pse kishte sjellë në tavolinën e një shishe uji më tepër se sa ishte porositur. Isufi, ish-shefi i qarkullimit në Vlorë, është i pari që e prek kamarierin, ndërsa Bino, një person me precedentë penalë, ka nisur më pas ta godasë disa herë.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe Policia e Shteti, ku është njoftuar se Ardian Isufi është pezulluar nga detyra si oficer i Policisë Kufitare në Dibër. Në njoftimin e Policisë së Shtetit, thuhet se Isufi, teksa ishte jashtë shërbimit kur u përfshi një episodin e dhunës në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë.
Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe një 53-vjeçar, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe një person tjetër.

