Kronike
Policia bën bilancin: 127 të arrestuar në një javë
Policia ka vijuar kontrollin për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Bëhet me dije se gjatë kontrollit të një jave janë lokalizuar dhe arrestuar 20 persona në kërkim, nga të cilët 18 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar, si dhe janë arrestuar në flagrancë 127 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit, në një javë!
Strukturat e Policisë së Shtetit, angazhim 24/7, në terren, në të gjitha qarqet e vendit, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur veprimtaritë kriminale.
Gjatë kësaj jave janë finalizuar 24 operacione dhe megaoperacione policore, për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale dhe të çdo paligjshmërie, në të gjithë territorin e vendit.
Janë lokalizuar dhe kapur 20 persona në kërkim, nga të cilët 18 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar, si dhe janë arrestuar në flagrancë 127 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me precedentë të theksuar kriminal, i dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim, nga drejtësia italiane, u kap gjatë operacionit të koduar “Dangerous”.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me agjencitë homologe u kap 45-vjeçari nga Vlora, i cili i shmangej drejtësisë, për veprën penale të përdhunimit, i kërkuar nga autoritetet policore dhe drejtësia greke. Përkundrejt vullnetarizmit të vetë shtetasit dhe zbatimit të procedurave ligjore, 45-vjeçari iu dorëzua autoriteteve policore greke.
33.5 kg kokainë që u gjetën në arka me banane, u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, në Port Durrës. Informacioni për tentativën e trafikimit të kësaj sasie ishte tërësisht i strukturave të luftës kundër krimit të organizuar, të Policisë shqiptare. Administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane dhe 2 punonjës të skanerit, në Port, u vunë në pranga.
Vijon megaoperacioni “Qarku”, në Shkodër, finalizohen faza e 8-të dhe e 9-të. 3 shtetas u vunë në pranga, 1 u shpall në kërkim, 2 të tjerë po procedohen penalisht.
– Në kuadër të fazës së 8-të dhe të 9-të të këtij megaoperacioni u sekuestruan: 4 armë zjarri me silenciatorë, 3 mina me telekomandë, 1 kg e 600 gr. lëndë eksplozive C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë dhe municion luftarak.
-Gjatë fazës së 9-të u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, brenda së cilës u gjetën dhe u sekuestruan fara kanabisi, shuma parash, 35 llamba dhe pajisje të tjera elektrike.
Në Korçë u finalizua faza e 3-të e megaoperacionit “Knock Down”. U arrestuan në flagrancë edhe 3 shtetas të tjerë që ushtronin veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
-Në kuadër të 3 fazave të këtij megaoperacioni janë arrestuar 57 shtetas dhe janë sekuestuar lëndë narkotike kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri pistoletë, municion luftarak e sende të tjera të kundërligjshme.
Në Vlorë u finalizua operacioni “River”, gjatë të cilit u vunë në pranga 2 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtorë në kultivimin e 213 bimëve kanabis. Sekuestrohen 13 kg kanabis.
Në vijim të operacionit “Zallmeri”, në Tiranë, u kap dhe u vu në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i dënuar me 7 vjet burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit janë finalizuar operacionet “The invitation” dhe “Tranzit 21”, në Tiranë, si dhe “Road Guard 48”, në Gjirokastër, ndërsa në Vlorë është finalizuar faza e dytë e operacionit “Piqeras”.
-Në kuadër të këtyre operacioneve janë vënë në pranga 8 shtetas dhe janë proceduar penalisht emigrantët nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Vijojnë kontrollet për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Në kuadër të operacioneve “Fati i lojërave”, “Game over” dhe “Games”, janë goditur 6 raste të kësaj veprimtarie të paligjshme. U vunë në pranga 7 shtetas dhe u sekuestruan 7 kompjutera, 5 aparate celulare dhe çipsa.
Në fushën e krimit ekonomik janë goditur 30 raste, në të gjithë vendin. Nga strukturat e DVP Tiranë janë zhvilluar 4 operacione, gjatë të cilëve u vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestruan shuma parash të falsifikuara dhe produkte të dyshuara të kontrabanduara.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar dhe goditur 8 raste, janë vënë në pranga 8 shtetas dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri me silenciatorë, 3 mina me telekomandë, 1 kg e 600 gr. eksploziv C4, 3 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë, municion luftarak dhe 3 armë të ftohta (thika).
Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera shtetërore, janë evidentuar dhe goditur 20 raste të krimeve mjedisore dhe janë trajtuar ligjërisht 35 raste të dhunës në familje.
-Nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 569 leje drejtimi, nga të cilat: 449 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 74 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 46 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
•Përmes përdorimit të alkool-testuesve janë arrestuar 51 drejtues mjetesh, nga këta: 28 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 23 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
•Janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës, 15 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 3 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.
-Policia Kufitare ka intensifikuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe atë detar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
•Janë goditur 16 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
•Janë goditur 2 raste të veprës penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 raste të “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, në PKK Rinas, dhe 3 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar me zero tolerancë krimin në përgjithësi e atë të organizuar në veçanti dhe në këtë kuadër do të vijojë me përkushtim operacionet dhe megaoperacionet, në çdo qark të vendit.
Angazhim maksimal nga shërbimet e Policisë, për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor, si dhe për të garantuar, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë dhe stafet pedagogjike, vijimin e procesit mësimor sa më të sigurtë.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.