Kosova
Politikani i opozitës serbe u bën thirrje serbëve në Kosovë të mos votojnë për Listën Serbe
Politikani i opozitës serbe, Çedomir Stojkoviq, u ka bërë një thirrje publike serbëve në Kosovë, që të mos votojnë për Listën Serbe në zgjedhjet lokale të planifikuara për 12 tetor.
Sipas tij, Lista Serbe nuk përfaqëson më interesat e komunitetit serb, por është një instrument i regjimit të Aleksandar Vuçiqit, që shërben për të ruajtur kontrollin politik jashtë Serbisë, dhe paralajmëroi gjithashtu se protesta të mëdha kundër regjimit aktual do të organizohen në Serbi duke filluar nga shtatori.
“Serbët në Kosovë duhet ta dinë se nëse votojnë për Listën Serbe, do të braktisen nga Serbia. Ata nuk do të kenë të bëjnë fare me qeverinë e re dhe politikat e ardhshme të Serbisë. Nëse vendosin të qëndrojnë me kriminelët, nuk janë ndryshe nga ta” – theksoi Stojkoviq, duke shtuar se regjimi aktual serb, i udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të rimarrë kontrollin mbi shtetin dhe qytetarët e tij.
Politikani serb theksoi se Perëndimi është i përfshirë në protestat në Serbi dhe se popullsia serbe dëshiron të jetojë si në Perëndim dhe jo sipas ideve të Vuçiçit. Sipas Stojkoviqit, presidenti serb e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi nacionalizmin dhe nxitjen e përçarjeve etnike.