Politike
Politikani pranveror i hyn gjithë sharm, hijeshi e kombinim fushatës

Me pulovrën Hilfiger ngjyrë kremi të hedhur në supe si për t’i ofruar ngrohtësi këmishës Barocco Sea, e cila rrinte e derdhur mbi pantallonat Dockers dhe shkonte perfekt me këpucët sportive Louis Vuitton, politikani pranveror Gjelbërim Basha zbriti para dhjetë ditësh nga avioni i Utrechtit dhe thithi ajrin e pluhurosur të Rinasit.
I duhet të rrijë ca kohë me katundarët shqiptarë që s’marrin erë nga jeta, se fillon fushata elektorale dhe aborigjenët vendas ende nuk e kanë kuptuar se fushata mund të zhvillohet edhe virtualisht, me video dhe mesazhe nga larg.
“Sa demode që janë, mon dieu”, psherëtiu me vete, por i kishte dhënë karar që në Holandë, se do shkrihej me masat këtë muaj, si një djalë i thjeshtë i popullit.
Me këtë rast, shpresonte të ndikonte edhe në përhapjen e frymës oksidentale në Paskuqan, Kamëz, Myzeqe dhe Martanesh.
***
Takimin e parë e bëri me të rinjtë. Me një gotë plastike mokaçino në dorë, kaloi një herë dorën sipër flokëve ngjyrë-patllixhan të ujdisura sipas modelit Wall Street, lëshoi një nga ato buzëqeshjet e tij të parezistueshme dhe u tha në mirëbesim çunave e gocave që kishin ndezur kamerat e celularëve:
“Do ju them një sekret, por le të mbetet mes nesh. Para se vija nga Holanda, kompania ‘Sekretet e Viktorias’ më kishte propozuar hapjen e një departamenti për meshkujt, me emrin ‘Sekretet e Viktorit’ ku unë do isha modeli kryesor. Por nuk pranova. U thashë ‘kismet pas zgjedhjeve, se tani kam hallin e Shqipërisë’. Nuk mund ta lëmë vendin në duart e hajdutëve!”
Dhe me një gjest elegant, Princi i Pranverës mori syzet e markës Serengeti nga e çara e këmishës në gjoks, dhe i vuri në sytë e shkruar.
“Se ja, edhe natyra ka gjelbëruar me ardhjen tonë. Pranvera është shpresë dhe optimizëm, oksigjen dhe adrenalinë, siç thotë dhe Ralph Loren. Megjithëse fryka pak erë,” dhe u kthye nga ndihmësja Orjola Las Pampas, “por favor, ma nxirr pak atë shallin e kashmirit Nordstrom. E ke aty tek çanta ime Hermes. Mercie, cherie!”
***
Ambasadori i nurit dhe hijeshisë politike po zhvillon një seri takimesh fizike me vulëhumburit lokalë, duke ndaluar tek dyqanxhinjtë e rastit për t’u folur për SPAK-un dhe Ramën e Berishën që duhej të ishin në burg.
“A e shikoni si vishen, si provincialë? Njëri del me shallvare dhe tjetri rrezik edhe në gjumë bie me këmishë dhe kravatë. Ta dinte Coco Chanel, do rrotullohej në varr e shkreta. Këta janë të gjithë për burg more zotëri!”, thoshte Shambellani i Madh i modës mashkullore, dhe dyqanxhinjtë tundnin kokën me miratim.
Mes premtimeve të shumta të fushatës, Gjelbërimi e ka vënë theksin sidomos tek miratimi i ligjeve të rrepta që do ndalojnë kombinimin e ngjyrave të tokës me nuancat e të kaltrës marine.
“Vous comprendrez qu’il nous est impossible, madame,” iu drejtua sharmanti një plake në Berat, “nuk mund t’i bësh bashkë ato ngjyra, është krim i madh!”
“Të drejtë ke mor bir,” tha plaka e shastisur duke parë rreth e rrotull për ndihmë, “këta e kanë mendjen për të vjedhur. Po ja pijnë gjakun fukarasë”.
***
Por pikët më të shumta, etaloni i klasit mashkullor po i fiton me videot e shkurtra me të cilat sfidon kryeministrin halldup e oriental.
Pas një kursi të përshpejtuar të dialektit tirons, Gjelbërimi po korr sukses me pasthirrmat e tij dialektore që sipas sondazheve, ja kanë siguruar që tani një vend në parlament.
Mes vokabularit të sofistikuar të tij, shquhen fraza si “Ramee, ho me? Çere bohet kshu me? Ku i ke çunat me? Kan ra n’burg eee?” etj etj.
Megjithë intensitetin e fushatës, në mbrëmje Konti i Kombinimit të Ngjyrave nuk harron të përditësohet me tendencat më të reja të pranverës.
Burimet për Patronazhistin pohojnë se atij ja kanë tërhequr vëmendjen sidomos prurjet e fundit klasike të shtëpive Gucci dhe Zegna, ndërkohë që Fendi dhe Kenzo e kanë zhgënjyer totalisht.
Megjithatë, informacione konfidenciale bëjnë me dije se me mbarimin e fushatës, të gjitha gjasat janë që Princi i Pranverës të shndërrohet në gjendjen e tij natyrale, Karagjozin e Verës.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-kombinim

