Connect with us

Kosova

Politikani serb: Gjeneratat e reja nuk e dinë të vërtetën për Kosovën

Është nga të rrallët politikanë serbë që ka kërkuar falje publikisht për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, madje ka bërë edhe homazhe në Prekaz për të nderuar familjen Jashari.

Nikola Sanduloviç, gjatë një interviste, ka krahasuar regjimin e Aleksandër Vuçiç me atë të Millosheviçit dhe e sheh si shqetësuese që gjenerata e reja në Serbi dinë shumë pak ose aspak se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe për krimet që janë kryer në Kosovë.

“Gjeneratat e rejat nuk e dinë të vërtetën për krimet që kanë bërë serbët. Ata merren me politikë, analizojnë gjërat, por janë të hutuar, të filtruar, çdo ditë me anë të medieve, dhe u mësohet të urrejnë shqiptarët, teksa as vetë nuk e dinë arsyen për këtë”, ka thënë politikani serb.

Sanduloviç gjithashtu tha se presidenti aktual i Serbisë ushtron kontroll të plotë mbi shtetin.

“Vucic ka okupuar të gjitha institucionet, gjykatën, policinë, eshte I lidhur me krimin, me politikanët që ka blerë, opozitën e korruptuar, dhe fatkeqësisht, nuk e di si do t’ia dalë Evropa që ta largojë atë nga pushteti para vitit 2027” – deklaroi Sanduloviç

Politikani serb ka folur edhe për çështjen e dialogut mes dy vendeve, per te cilën tha se Vuçiç asnjëherë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Mendoj se Vuçiç vetëm sa ka blerë kohë me lëshimet e fundit, që shqiptarët mund të udhëtojnë nga Kosova me targat RKS, dhe dokumentet që Evropa i njeh, por në themel mendoj që nuk do të ndryshojë asgjë. Problemet vetëm sa do fillojnë tani që Vuçiç është në fazën e katërt të pushtetit. Ai kurrë nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Nuk mendoj se diçka do të ndryshojë këtë vit, përkundrazi, mendoj se do të ketë shumë më tepër gjëra të komplikuara, siç ishte sulmi terrorist në Banjskë, një akt që ka qenë nën kontrollin e sigurt të qeverisjes serbe” – theksoi Sanduloviç, I cili gjithashtu ka kritikuar edhe një pjesë të komuniteti ndërkombëtar, që sipas tij, po e mbështesin Vuçiçin.

“Problemi kryesor padyshim është që Vuçiç ka përkrahjen e disa strukturave në Evropë, si dhe, fatkeqësisht,e them me shumë pikëllim, përkrahjen e strukturave të caktuara në Amerikë, te cilat drejtohen që nga ish emisari Richard Grenell, dhe politikanë tjerë  të korruptuar në qeverisjen e SHBA-ve” – potencoi politikani serb Nikola Sanduloviç.

Advertisement