Connect with us

Bota

Polonia rrëzon mbi 10 dronë rusë në hapësirën e saj ajrore: Akt agresioni, jemi në kontakt me NATO-n

Mbi 10 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi në Ukrainën Perëndimore. Në përgjigje, avionët polakë luftarakë u ngritën në ajër duke rrëzuar disa prej tyre. Ministria polake e Mbrojtjes raportoi se dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake gjatë natës, duke kërcënuar qytetin e Zamoscit dhe provincat lindore të Mazovisë, Podlaskie dhe Lublinit, dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në banesa.

“Pas sulmit të sotëm nga Federata Ruse në territorin ukrainas, ndodhi një shkelje e paprecedentë e hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë. Ky është një akt agresioni që ka paraqitur një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, theksoi Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake në një mesazh në X. 

Kryeministri Donald Tusk ndoqi personalisht operacionin.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s”, tha Ministri i Mbrojtjes Ëladyslaë Kosiniak-Kamysz, i cili në mediat sociale i bëri thirrje popullsisë të “qëndrojë e qetë dhe të ndjekë njoftimet zyrtare nga shërbimet shtetërore dhe ushtarake”.

Qeveria polake ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave pas raportimeve për shkelje të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronë rusë gjatë një sulmi ndaj Ukrainës.

Kryeministri Donald Tusk është takuar menjëherë me ministrat përgjegjës për sigurinë kombëtare, ndërsa forcat e armatosura polake kanë rrëzuar disa nga dronët që hynë në territorin polak.

Forcat e ushtrisë territoriale janë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë, ndërsa qeveria po shqyrton hapat e mëtejshëm për të garantuar sigurinë e kufijve dhe të hapësirës ajrore. Polonia e ka cilësuar këtë incident si një “përshkallëzim të papranueshëm” të agresionit rus në rajon.

Katër aeroporte në Poloni, përfshirë më të madhin në Varshavë, janë mbyllur pas raportimeve se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Dy aeroporte në kryeqytetin Varshavë – aeroporti kryesor Chopin dhe aeroporti Warsaw Modlin – u mbyllën. Gjithashtu u pezulluan edhe aeroporti Rzeszów-Jasionka – që është qendra ajrore më e afërt me Ukrainën – si dhe aeroporti Lublin, sipas një njoftimi të publikuar në faqen e internetit të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA.

Kjo ndodh ndërsa avionët luftarakë të NATO-s dhe Polonisë u ngritën në ajër pasi Rusia nisi një tjetër sulm masiv mbi rajonet ukrainase pranë kufirit me Poloninë.

“Avionët polakë dhe aleatë po operojnë në hapësirën tonë ajrore, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore nga toka dhe të zbulimit me radar janë sjellë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë,” shkroi komanda operacionale e forcave të armatosura polake.

Reagime pati edhe në Uashington. Senatori Chris Murphy, demokrati kryesor në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se do të ishte “jashtëzakonisht serioze” nëse raportet për “mjete ajrore ruse që fluturojnë mbi një vend të NATO-s” rezultojnë të vërteta.

Megjithatë, Murphy pranoi gjithashtu se Polonia disa herë është kapur mes zjarrit të kësaj lufte për shkak të afërsisë së saj me Ukrainën.

Joel Wilson, përfaqësues i Karolinës së Jugut nga Partia Republikane, i cili gjithashtu është pjesë e Komisioneve të Shërbimeve të Jashtme dhe të Forcave të Armatosura, e quajti veprimin e supozuar të Rusisë një “akt lufte”.

“Unë i bëj thirrje Presidentit Trump të përgjigjet me sanksione të detyrueshme që do të çojnë në falimentimin e makinerisë luftarake ruse dhe të armatosë Ukrainën me armë që mund të godasin Rusinë,” shkroi ai në një postim në X, duke theksuar se ky zhvillim ndodhi pak ditë pasi Trump priti Presidentin polak Nawrocki në Shtëpinë e Bardhë.

Advertisement