Bota
Polonia nis hetimet për sulmet kibernetike në rrjetin hekurudhor
Shërbimet e inteligjencës polake kanë nisur hetimet për një sulm hakerimi në hekurudhat e vendit, thonë mediat polake. Hakerët hynë në frekuencat hekurudhore për të ndërprerë trafikun në veriperëndim të vendit gjatë natës, njoftoi të shtunën Agjencia Polake e Shtypit (PAP).Sinjalet u ndërthurën me regjistrimin e himnit kombëtar të Rusisë dhe një fjalim të presidentit Vladimir Putin. Polonia është një qendër kryesore tranziti për dërgimin e armëve perëndimore në Ukrainë. Incidenti i së shtunës ndodhi kur hakerët transmetuan një sinjal që shkaktoi një ndalim urgjent të trenave pranë Szczecin.Rreth 20 trena u ndaluan, por shërbimet u rikthyen brenda disa orësh. Stanislaë Zaryn, një zyrtar i lartë i sigurisë, tha se shërbimi i sigurisë së brendshme të Polonisë ABë po hetonte.“Për momentin nuk po përjashtojmë asgjë. Ne e dimë se për disa muaj ka pasur përpjekje për të destabilizuar shtetin polak. Përpjekje të tilla janë ndërmarrë nga Federata Ruse në bashkëpunim me Bjellorusinë”, tha ai.Një numër vendesh perëndimore kanë bërë thirrje për rritjen e masave paraprake të sigurisë kibernetike teksa vijon konflikti në Ukrainë. Disa ekspertë kanë thënë se Rusia po kryen sulme kibernetike në Ukrainë në një përpjekje të dukshme për të testuar mjetet e saj të hakerimit. Rusia i ka quajtur më parë akuza të tilla “rusofobike”.