Connect with us

OPINION

Porosia Lasgushit/ Zëri i ndërgjegjes, do vdesë edhe 1 shekull i këtij Komb

Nga Arian Galdini
Në letrën e tij dërguar në vitin 1930 Dhimitër Paskos apo sikurse e njohim ne Mitrush Kutelit, Lasgush Poradeci përdor një term shumë interesant i cili edhe pse i shkruar 1 shekull më parë, duket tronditës e gjithashtu edhe ndriçues njëkohësisht sepse vlen si të jetë shkruar për ditët e sotme, për vitin 2024.
Lasgushi shkruan: Këtu i shtrenjtë shok, një frymë e rëndë varfërie shpirtërore zotëron jetën e çdokujt, mbyt zërin lajmëronjës të një shprese më gazmore, të një ideali me më tepër dritë…
Lexojeni ju lutem këtë fjali e më thoni që nuk jua trand të gjithë qënien tuaj.
A nuk ju duket sikur zëri i Lasgushit ju buçet si zëri i ndërgjegjes, si thirrma e shpirtit dhe e së vërtetës mpirëse kur lexoni këto fjalë që ngjasojnë si të shkruara tani, veç një hop më parë?
A nuk ju vijnë ndërmend të gjithë njerëzit e përditshmërisë suaj, në çdo kafene, mejhane, restorant, qoshe rruge, trotuar, semafor, vend pune, bisedë rutinë, darka, dreka, dasma, vaki, synetlliqe, pagëzime, ditëlindje e ekskursione, piknik apo autobuz, tren a furgon?
Të gjithë të mrrolur, në garë për tu qarë e qaravitur, për tu ankuar e qurravitur, të gjithë të zemëruar, cinikë, skeptikë, dyshues, sharës e mallkues, të gjithë si qese helmi, mllefi e vreri…
Të gjithë në një luftë të pashoqe për ta shtyrë ditën mes ufeshebufesh, në spiralen e shfaqjes si i mbyturi nga hallet e stresi që nuk del kurrë në sipërfaqe por rend me shpejtësi skëterre poshtë drejt halleve më të rrëpirshme se hallet e çdokujt tjetër.
I hapim sytë në mëngjes plot skleba e halle.
E masim kohën me halle.
I masim njerëzit me halle.
I ndërtojmë bisedat mbi halle.
Dhe në fund të ditës i mbyllim sytë të rraskapitur në darkë mbuluar me vulgaritet e banalitet duke parë me telekomandë Përputhen e Big Brother apo në celular Instagramin e Tik Tokun me shpresën se kështu së paku nuk do të na dalin në ëndërr hallet.
Ky lloj qytetari është kudo e ngado, në çdo lagje, qytet e fshat, e madje edhe në Diasporë.
Ky lloj qytetari është edhe burri edhe gruaja, edhe i riu edhe i moshuari, edhe i skamuri edhe zengjini, edhe i paarriri edhe VIPi…
Nuk ka rëndësi nga je, çfarë je, sa i varfër apo i pasur je, çfarë statusi a gjendje sociale ke, në përgjithësi, përshkrimi yt ka si karakteristika themeltare pikërisht këtë lloj qytetari.
Pra nuk është as çështje pasurie apo varfërie ekonomike, as fame apo askushësie, mjerimi a shkëlqimi, mediokriteti a virtuoziteti, as karriere apo papunësie, as shkollimi apo padijeje…
Aspak.
Ky qytetari i sotëm shqiptar është besnikërisht gravura shpirtërore e atij qytetarit shqiptar të 1930, që aq kthjelltazi e ballazi e ka gdhëndur me fjalët e tij Lasgush Poradeci.
Jemi të tillë, e në këtë gjendje, jo sepse jemi të varfër ekonomikisht, por sepse jemi të varfër shpirtërisht…
Varfëria ekonomike të bën të ulësh kokën e kërkosh punë.
Varfëria shpirtërore të bën të ulësh pritshmëritë e të mos lëvizësh nga vendi.
Varfëria shpirtërore të mbërthen në LIMBO, as në qiell e as në tokë.
Ngec, pezullohesh, lloc.
Ndaj edhe ne shqiptarët jemi i vetmi komb në botë që kemi natyral togfjalëshin e përditshëm që të vret pa gjyq e pa paralajmërim: shtyjmë kohën…
Të gjitha kombet e dinë se koha vritet, harxhohet, humbet, fluturon, etj, etj…
Vetëm ne kemi iluzionin se koha shtyhet.
Ti jetosh ditët e tua si e njëjta ditë, si shërbim i detyruar ushtarak në kohën e komunizmit kur të gjithë alarmomin gjithkënd se po na beh armiku tek porta, e po ashtu gjithkush e dinte se asgjë nuk do të ndodhte e asgjë bënim.
Komunizmi na tëhuajzoi aq barbarisht sa na krijoi iluzionin idiotesk se “njeriu i ri” nuk ka nevojë të ëndërrojë për të udhëtuar në kohë, sepse i mjafton partishmëria për tu pajisur me fuqinë çudibërëse për të shtyrë kohën.
Harruam edhe Newtonin ne të ngratët, kur na paralajmëronte me Ligjin e tij të Forcave Shtytëse se gjithçka që ti shtyn, të kthehet e të shtyn pas.
Kësisoj, ne harruam a nënçmuam fuqinë e kohës, e teksa ne shtynim kohën, ajo ne shtynte ne aq pas sa ne sot pas 1 shekulli ngjajmë si të jemi në të njëjtën ditë.
Varfëria shpirtërore dhe shtyrja e kohës rrezikojnë të na çojnë tek humbja e një shekulli tjetër, e të na vijnë në 2124 a 2130 ca shqiptarë që kur të lexojnë Lasgushin e 1930, të shqyejnë zemrën nga trishtimi se do tu tingëllojë si i kohës së tyre.
Madje më keq mund të shkojmë në vitet që po vijnë ngase gravurës së Lasgushit i është mbivendosur edhe zhgarravina e njeriut të ri të komunizmit që shtyn kohën dhe çjerrja e qytetarit ankimtar e qaraman.
Gjërat kanë mbërritur në një pikë të tillë kur nëse të gjithë Hebrenjtë e bënë Murin e tyre të Qarjeve në Jerusalem, ne shqiptarët kemi mbërritur në një nivel ankimtarie vetjake e kombëtare kur duket se secili nga ne ka ngritur nga një mur qarjesh personal.
Eja të punojmë, të tretemi, të shuhemi, për të krijuar në mes të vdekjes një jetë të re, e mbyll letrën e tij për Mitrushin, Lasgushi.
Përshkrimin dhe parashikimin nuk ia dëgjuam Lasgushit.
Të paktën ti dëgjojmë porosinë.
Ka ardhur koha që ne shqiptarët, ta ndryshojmë ditën tonë.
Koha nuk shtyhet, koha vdes.
Po nuk punuam, tretëm e shuam për kombëtarizëm e prindërim, të gjithë ne a shumë nga ne ose edhe krejt pak nga ne, do vdesë edhe 1 shekull i këtij Kombi, e ky Komb do të rijetojë të njëjtën ditë kur Lasgushi shkroi këtë letër në vitin 1930.
Arian Galdini
Advertisement