Kronike
‘Porositësi’ – Ç’ndodhi mëngjesin e 3 tetorit

DURRËS– Zenaldo Mamaqi, 32 vjeç është arrestuar nga policia e Durrësit në kuadër të operacionit ‘Porositësi’. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Me arrestimin e tij, ka shkuar në 15 numri i personave të vënë në pranga pasi vellëzërit Beqiraj zbërthyen disa ngjarje të rënda kriminale.
Sipas burimeve të NTV.AL, Mamaqi ishte pjesë e grupit që kryente shitjen dhe blerjen e pistoletave dhe armëve të tjera që vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, me bashkëpunëtorët përdornin për të kryer vrasjet me porosi nga Kasandër Noga dhe Flamur Bejko.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Porositësi”, shkon në 15 numri i të arrestuarve në kuadër të tij. Vihet në pranga 1 shtetas, i dyshuar i përshirë në veprimtarinë kriminale të armëmbajtjes pa leje, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit “Porositësi”, mbështetur me inteligjencë operative, bënë të mundur ndalimin e shtetasit:-Z. M., 32 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet hetimore rezulton se 32-vjeçari është autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.Operacioni policor “Porositësi” u finalizua nga DVP Durrës, më 4 tetor 2022 dhe rezultoi me zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, vënien në pranga të 14 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve. DVP Durrës vijon intensivisht punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Ç’ndodhi mëngjesin e 3 tetorit?
Dy vëllezërit, Gentjan e Indrit Beqiraj kanë qenë duke udhëtuar me një motomjet tip “Piaggio” me targa AI 724, kur janë përplasur nga një makinë me targa 117 që sipas materialit hetimor, nuk shquhen qartë nga pamjet. Gentiani ka qenë në timon, ndërsa Indriti pasagjer. Të dy janë dhunuar nga grupi i personave që pasi i kanë përplasur, kanë zbritur nga makina. Më pas, ata, pjesë e grupit të Pëllumb Muharremit “Rrumi i Shijakut”, kanë marrë peng Indrit Beqiraj ne janë larguar. Gentiani, në panik e i alarmuar për të vëllanë ka lajmëruar Policinë e Shtetit. Dy orë më vonë, pa ndërhyrë ende efektivët, Indriti është liruar. Ai bashkë me të vëllanë kanë dëshmuar dhe para grupit hetimor kanë rrëfyer se qëndrimi i tyre në autostradë nuk ka qenë rastësor, por për të vëzhguar Rrumin, për të cilin ishin paguar për ta eliminuar. Por, plani dështoi pasi u pikasën nga njerëzit e shënjestrës.
RRËFIMI I VËLLEZËRVE:
Vëllezërit Beqiri zbërthyen të gjithë grupin kriminal me bazë në Durrës që kokë kishte Kasandër Nogën, i cili jepte urdhrat nga burgu në Belgjikë, ku është vënë në pranga pas atentatit që i bëri Erion Hasanbellit. ‘Killeri’ i besuar i Nogës ishte Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, i cili kishte kontraktuar vëllezërit Beqiri për të vrarë Arbën Mërkurin (Maneci) si dhe Geron Hasanbellin, vëllanë e Erion Hasanbellit. Atentati ndaj Manecit u realizuar, por ai ndaj Hasanbellit dështoi, pasi në “Don bosko” u ngatërrua shënjestra dhe i vrarë mbeti Erion Çela, 35 vjeç.
Të arrestuarit janë: Gentjan Beqiraj, Indrit Beqiraj, Flamur Bejko, Pellumb Hoxha, Idajet Hoxha, Armand Dalipi (Daka), Fatjon Myrta, Blerim Elezi, Gentian Sheshi,Kujtim Deliallisi, Albano Hajdari, Fatjon Hajdari, Armando Lama, Altin Celami.
Të shpallur në kërkim janë: Agron Bejdolli, Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, Alban Skonja, Kevin Zeneli alias Kevin Suçi. I arrestuar në Belgjikë është Kasander Noga.

