Politike
Porti i Durrësit/ Berisha: Menaxheri i Emaar është edhe i Bashës

Kryedemokrati Sali Berisha tha se grupi Emaar që ka marrë në dorë projektin e Portit të Durrësit, ka për menaxher, të njëjtin person që punon dhe tek kompania e ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha. Në fjalën e tij nga mbledhja e grupit të PD-së, Berisha tha se, menaxheri gënjeu kur tha se kishte dhënë dorëheqjen nga kompania familjare e Bashës, pasi nuk e kishte bërë këtë gjë.
“Çështje tjetër, jashtëzakonisht e rëndësishme e rendit të ditës është afera mafioze, korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, porti i Durrësit. Porti i Durrësit përbën aktin më madhor të krimit ekonomik të një organizate të strukturuar kriminale, me të cilin shqiptarëve u grabitet pasuria e tyre kombëtare numër një. Përbën aktin mafioz, me të cilin Edi Rama shkriu aksionet dhe me ish-kreun e opozitës, për t’i bërë gjëmën shqiptarëve dhe pluralizmit politik. Përbën aktin, dhe kur e them këtë, duhet të sqaroj shqiptarët se kur mediat njoftuan se menaxheri i Emaar dhe menaxheri i kompanisë familjare, Basha, ishte i njëjti person, çfarë ndodhi? U them këtu atyre që thonë se po bëjnë politikë, nuk po bëj politikë, ky menaxher doli e tha se dhashë dorëheqjen nga kompania Basha. I pari, unë e besova që dha dorëheqjen. Por unë dhe të gjithë ata që besuam se kjo ndodhi, gabuam. Sepse pikërisht kjo nuk kishte ndodhur. Ky ishte një mashtrim, sepse një muaj më vonë, ky dopio-menaxher, u gjet se vazhdonte punën në kompaninë Basha. Menaxheri nuk dha dorëheqje nga Emaari, nuk deklaroi se do dorëhiqej dhe do mbetej menaxher i Bashës. Por pas një muaji ai vazhdonte menaxher i të dy kompanive.
Ky përbën një akt shekspirian në kuptimin e gllabërimit të opozitës. Të kreut të opozitës. Me një aferë të tmerrshme mafioze,”- tha Berisha ndër të tjera.

