Connect with us

Aktualitet

Porti i Durrësit/ Sekuestrohen 121 mijë euro të padeklaruara

Port Durrës/Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e futjes së shumave të mëdha të parave në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk.

Operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia Kufitare, në të gjithë vendin.

Sekuestrohen 121 680 euro të padeklaruara në PKK Port Durrës.

Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se me një autobus, po trasportohej një shumë e konsiderueshme eurosh, me qëllim shmangien e deklarimit të tyre në pkk.

 

 

Tentoi të fuste në vendin tonë 121 680 euro që ishin fshehur në tavanin e autobusit, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, arrestohet në flagrancë pronari i autobusit.

Procedohet penalisht drejtuesi i këtij autobusi.

Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara në këtë pkk, për parandalimin e futjes së shumave të konsideruehsme të parave, pa i deklaruar, shuma të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L. N. dhe me drejtues shtetasin E. S.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Advertisement