Aktualitet
Prag tragjedie në spitalin e Korçës/ Pacienti kërcënon stafin me bidon benzine: Do i vë flakën
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Korçë, ku një person ka kërcënuar personelin e shërbimit mjekësor në repartin e dializës. Pacienti i shërbimit të dializës paraditen e sotme ka hyrë brenda ambienteve të këtij shërbimi me një bidon benzinë duke kërcënuar infermierët e dializës se do t’i vinte flakën vetes dhe repartit.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, brenda repartit kanë qenë 20 pacientë duke marrë shërbimin e dializës, por ndërhyrja e shpejtë e forcave të policisë ka shmangur një ngjarje shumë të rëndë. Burime për mediat bëjnë me dije se pacientit i ka rënë nga dora bidoni i benzinës pa arritur t’i vinte flakën.
Pacienti është shoqëruar në komisariatin e Korçës ku dhe po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa grupet e ekspertëve janë në vendngjarje për të zbardhur atë çka ka ndodhur paraditen e sotme.
Njoftimi i policisë:
Sot, në spitalin e Korçës, në repartin e dializës, shtetasi K. M., pacient në këtë repart, ka tentuar të hedhë lëndë djegëse (benzinë), në ambientet e brendshme të spitalit. Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë dhe e pacientëve të tjerë ka bërë të mundur neutralizimin e këtij shtetasi, i cili u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.