Kronike
Prangoset hajduti i biçikletave në Durrës
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pedalet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Vidhte biçikleta, në mënyrë të përsëritur, duke u bërë shqetësim për qytetarët, falë bashkëpunimit me ta, identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari dhe sekuestrohen biçikletat e vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë administruar dhe ndjekur menjëherë, një sërë denoncimesh të marra nga qytetarët e qarkut të Durrësit se një shtetas i paidentifikuar vidhte biçikleta, në mënyrë të përsëritur dhe si rezultat i veprimeve hetimore dhe policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pedalet “, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-B. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur biçikletën e një shtetasi.
Në kuadër të këtij operacioni u bë gjithashtu dokumentimi i 2 vjedhjeve të tjera, autori i të cilave dyshohet të jetë shtetasi B. M., konkretisht, në datat 10 qershor dhe 27 tetor të këtij viti, 36-vjeçari ka vjedhur biçikletat e 2 shtetasve, në lagje të ndryshme të qarkut të Durrësit.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.