Connect with us

Kosova

Premtimi i madh i SHBA/ Armatosje deri në dhëmbë e Kosovës

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të shqetësuara për mundësinë që situata mes Kosovës dhe Serbisë, të përshkallëzohet në konflikt të armatosur” – Kështu ka deklaruar Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, dhe si fakt për këtë, ajo sheh miratimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për blerjen e raketave antitank nga Kosova.

Në një prononcim për mediat në Prishtinë”, Tromp ka thënë se Rusia mund të destabilizojë Ballkanin, përmes Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë.

“Nga këndvështrimi i Rusisë, mënyra për të destabilizuar zonat në Evropë me interesa gjeostrategjike për aleatët perëndimorë – BE dhe SHBA – në Ballkanin Perëndimor do të ishte destabilizimi i rajonit me aktivitete në tri vendet, që nuk janë anëtare të NATO-s dhe të BE-së” – ka theksuar Tromp.

Gjithashtu hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, parashikon që Serbia do të vazhdojë të përdor lidhjet e saj me Rusinë, për të destabilizuar Kosovën, si një zonë krize.

“Serbia do t’i përdorë lidhjet e saj me Rusinë për të vazhduar me armatimin e forcave të saj të sigurisë si dhe për të shmangur çdo angazhim të mëtejshëm në procesin e drejtuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që përfundimisht do të çonte në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, janë zona me interes për Rusinë, ku ajo mund të përdorë ndarjen ekzistuese territoriale për të destabilizuar rajonin dhe për të mbajtur NATO-n dhe aleatët e saj të zënë në disa zona krize njëkohësisht dhe Kosova është sigurisht një zonë e tillë” – potencoi Nevenka Tromp

Sipas saj, “mandati i KFOR-it mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur Kosovën të sigurt nëse në rajon shpërthen një luftë e plotë” dhe për këtë, ajo ka kërkuar që SHBA të forcojë ushtrinë e Kosovës, para zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në fund të këtij viti, pasi vlerëson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj çdo ndryshimi të administratës amerikane.

Ekziston një shqetësim i përhapur se nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale,  SHBA-ja do të ndryshonte politikën e saj ndaj NATO-s dhe Evropës. Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj çdo ndryshimi të administratës amerikane, pasi integriteti i saj territorial ka qenë shumë i varur nga mbështetja politike, diplomatike dhe ushtarake e një shteti të vetëm – SHBA-së” – ka nënvizuar Nevenka Tromp për mediat.

Si hap logjik, për këtë, ajo sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO. Sipas tij, për shkak të kërcënimeve të mëdha me të cilat po përballet Evropa, anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të mos jetë aq i paimagjinueshëm sa dukej muaj më parë.

“Në çdo perspektivë që kjo mbështetje të ndryshojë në dëm të Kosovës, hapi logjik për Kosovën do të ishte anëtarësimi i NATO-s. Parimi i sigurisë kolektive të NATO-s do ta mbrojë Kosovën nga çdo aspiratë territoriale e tanishme apo e ardhshme serbe në veri dhe do ta forcojë NATO-n në juglindje të Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të jetë po aq i vështirë për t’u arritur, sa anëtarësimi në BE, duke pasur parasysh faktin se pesë shtete te BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Megjithatë, kur kërcënimet e sigurisë janë po aq të mëdha sa ato aktuale me të cilat përballet Evropa që nga lufta në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të mos jetë aq i paimagjinueshëm sa dukej vetëm disa muaj më parë. Armatosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës mund të jetë hapi i parë në këtë drejtim” – ka deklaruar Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë.

Advertisement